Deputetët e Parlamentit Evropian (PE) i bënë thirrje Iranit për hetim të paanshëm lidhur me vdekjen e Mahsa Aminit ndërsa Bashkimit Evropian (BE) i bënë thirrje që të zbatojë sanksione ndaj përgjegjësve për vrasjen.

Në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së u miratua një projekt-rezolutë lidhur me ngjarjet në Iran.

Sipas kësaj, nga Irani kërkohet hetim i paanshëm lidhur me vrasjen dhe lirimin e protestuesve ndërsa administratës së BE-së i bëhet thirrje që të zbatojë sanksione ndaj personave përgjegjës për vdekjen e Aminit.

“PE mbështet lëvizjen e protestave paqësore në Iran, kryesisht për vajzat e reja pjesëmarrëse dhe drejtuesit e protestave ndërkohë dënon ashpër përdorimin e forcës së gjerë dhe joproporcionale nga forcat iraniane të sigurisë. Deputetët u bëjnë thirrje autoriteteve të vendit të heqin akuzat për të gjithë mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe të lirojnë menjëherë dhe pa kushte të gjithë të arrestuarit që janë burgosur sepse kanë përdorur vetëm të drejtat për lirinë e shprehjes, organizim dhe tubim paqësor”, thuhet në projekt-rezolutën ku dënohet fuqishëm vdekja e Aminit.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell në një fjalim të mbajtur në PE në fillim të javës, tha se “Do të vlerësojmë të gjitha alternativat, përfshirë edhe masat kufizuese”.

Pritet që çështja të diskutohet në takimin që ministrat e Jashtëm të BE-së do të mbajnë më 17 tetor në Bruksel.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re