Parlamenti i Libisë ka bërë thirrje për ndalimin e eksporteve të naftës për mbështetësit e Izraelit mes sulmeve të pamëshirshme ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

“Ne kërkojmë nga qeveria të ndalojë eksportet e naftës dhe gazit në vendet që mbështesin Izraelin në rast se masakrat izraelite nuk ndalen”, tha zëdhënësi i parlamentit, Abdullah Belihaq.

Asambleja me bazë në Libinë lindore po ashtu u bëri thirrje ambasadorëve të vendeve që mbështesin “krimet” e Izraelit në Gaza që të largohen menjëherë nga Libia.

“Asambleja dënon fuqishëm mbështetjen e ofruar nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia për krimet izraelite në Gaza”, thuhet në deklaratë.

Parlamenti libian konfliktin e Gazës e quajti një “gjenocid të udhëhequr nga SHBA-ja dhe Perëndimi kundër njerëzve të çarmatosur nën bllokadë”.

Izraeli ka nisur një fushatë të pamëshirshme bombardimi në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor.

Rreth 8 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin aktual, duke përfshirë të paktën 6.546 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.

2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë transportuar vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re