Dhoma e Përfaqësuesve (parlamenti) i Libisë ka propozuar shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale të vendit me gjashtë muaj.

Asambleja mbajti një seancë në qytetin lindor Tobruk të hënën vonë për të diskutuar mbi zgjedhjet, të cilat u planifikuan të mbaheshin më 24 dhjetor.

Kryetari në detyrë i parlamentit, Fawzi Al-Nuwairi, paraqiti disa propozime nga deputetët për zgjedhjet, njëri prej të cilëve bëri thirrje për shtyrjen e votimit me gjashtë muaj.

Javën e kaluar, Komisioni i Lartë Kombëtar i Zgjedhjeve i Libisë propozoi shtyrjen e votimeve të 24 dhjetorit me një muaj, duke përmendur pengesat për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë.

Al-Nuwairi kërkoi që komisioni zgjedhor të japë një shpjegim mbi arsyet bindëse që penguan mbajtjen e zgjedhjeve.

Ndërkohë, kryeparlamentari në detyrë tha se parlamenti do t’i kërkojë Këshillit të Presidencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të kufizojnë lëvizjen dhe vizitat e ambasadorëve të huaj në Libi, pa detaje të mëtejshme.

Të premten, vendet evropiane dhe SHBA-ja u kërkuan autoriteteve libiane që të vendosin një datë përfundimtare për zgjedhjet pa vonesë.

Në një deklaratë të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja u bënë thirrje autoriteteve libiane “të respektojnë aspiratat e popullit për zgjedhje të shpejta duke përcaktuar me shpejtësi një datë përfundimtare për zgjedhjet dhe duke nxjerrë listën përfundimtare të kandidatëve presidencialë pa vonesë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re