Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të paraqesë të hënën para Parlamentit serb një raport për Kosovën.

 

Kjo është hera e parë që Vuçiç prezanton për votim një raport për Kosovën.

 

Në seancë do të marrë pjesë edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ndonëse aty nuk do të jenë të pranishëm një pjesë e deputetëve të opozitës, të cilët e bojkotojnë punën e Parlamentit.

 

Ata kanë theksuar se seanca për Kosovën është edhe një “mashtrim tjetër” i qeverisë aktuale.

 

Diskutimet për Kosovën në Kuvendin e Serbisë mund të zgjasin dy ditë dhe në fund deputetët do të votojnë për miratimin e raportit.

 

Raporti ka 101 faqe, prej të cilave 82 faqe përmbledhin “rezultatet më të rëndësishme” të së ashtuquajturës, Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

 

“Procesi i negociatave dhe zbatimi i marrëveshjeve në thelb nuk janë në interes të Prishtinës dhe prandaj ajo po përpiqet t’i shkatërrojë plotësisht ato”, thuhet në raportin e kësaj Zyre.

 

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011.

 

Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Vuçiç ka përmendur taksën prej 100 për qind, që, Qeveria e Kosovës ka vendosur në importet e Serbisë, si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në anën tjetër ka thënë se kjo masë do të vazhdojë së aplikuari derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.

 

Heqjen e kësaj tarife e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./ REL

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re