Parlamenti i hapi sot rrugë rritjes së pagave për 130.330 punonjës të administratës publike qendrore e vendore, një vendim që për kryeministrin Edi Rama shënon një rritje historike të rrogave në Shqipëri.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Me votimin e sotëm, ne i hapim rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen, pra në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare.”

 

Por pagat për deputetët e ministrat do të rriten vitin e ardhshëm, pasi Kryeministri kërkoi që ligjvënësit të përfitojnë nga shtesa e pagës, atëherë kur edhe administrata të ketë një pagë më të lartë.

 

“Ajo duhet të hyjë në fuqi në momentin që hyn ne fuqi e gjithë paketa e rritjes së pagave,”

 

Por opozita e drejtuar nga Sali Berisha i lexon ndryshe ligjet që mazhoranca votoi sot në kuvend. Sipas Berishës këto drafte i rrisin në mënyrë të ndjeshme rrogat e zyrtarëve të lartë, ndërkohë që për administratën rritja është në nivelin e inflacionit.

 

SALI BERISHA

“Nuk e votoj kurrë këtë ligj, sepse është një mashtrim i tmerrshëm. Sepse institucionet e pavarur kanë gjetur se ndërsa dyfishoni rrogat e zyrtarëve të lartë, zbrisni me 1 përqind rrogat e mësuesve, rrogat e arsimit parauniversitar, rrogat e policëve, rrogat e ushtarakëve. “

 

Shefi i qeverisë, Rama, listoi sfidat me të cilat kjo mazhorancë është përballur që ia ka pamundësuar rritjen e pagave më herët, duke nisur nga tërmeti, pandemia e deri tek pasojat e agresionit rus mbi Ukrainën, që u shoqërua me rritjen e çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare,duke theksuar se debati për rritjen e çmimit të energjisë për një pjesë të qytetarëve është ende një debat i hapur.

 

 

EDI RAMA

“Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguante me çmimin përpara krizës. Ka rënë çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar, por nuk është kthyer aty ku ishte dhe qeveria ka pasur dhe ka vullnetin e plotë që të vazhdojë të paguajë, ndërkohë që me ardhjen e verës, konsumi do të rritet në mënyrë të ndjeshme përsëri dhe ne do të duhet të hapim diskutimin e fashës. “

 

 

Por Sali Berisha në emër të opozitës theksoi se buxheti i shtetit i ka të gjitha mundësitë për të vendosur minimumin jetik.

 

 

SALI BERISHA

“Me 200 euro, çdokënd e nxirrni nga humnera ekstreme që quhet mjerim. Kurse ju rrisni rrogat e larta, ky është cinizëm, kjo është pashpirtësi.”

 

Por përballë kritikave të opozitës, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje rezultatin e 14 majit, ku mazhoranca mori 54 bashki nga 61.

 

EDI RAMA

“Unë e përsëris, ne, rezultati jonë, është sa vepër e jona, aq edhe vepra juaj, unë jam i vetëdijshëm, jeni bashkëpunëtorët më të mëdhenj në këtë rezultat sepse jeni bërë aq të pashikueshëm, aq të padëgjueshëm, aq të pangrënshëm, aq të patretshëm. Mbani mend fjalën time këtu, herën tjetër do jenë më pak dhe nuk iu shpëton dot asnjë fjalim këtu dhe asnjë baltë që hidhni këtu”

 

Sali Berisha

“Farsa elektorale 2023, do hyjë në histori si faqja më e zezë në Europë, pas rënies së Perdes së Hekurt.”

 

Menjëherë pas votimit, Presidenti dekretoi ligjet për rritjen e pagave, duke krijuar mundësinë që ato të hyjnë menjëherë në fuqi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re