Deputetja demokrate, njëkohësisht dhe Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku, ka komentuar sesionin e ri parlamentar, ku tha se sipas saj nuk ka një Parlament normal, pasi nuk e ka atë fuqinë që do të kishte.
Në emisionin “Kjo Javë” në Neës24 të gazetares Nisida Tufa, Tabaku e konsideroi Parlamentin një zgjatim të Qeverisë.
“Parlamenti ka një sfidë shumë të madhe këtë vit, atë të vitit elektoral. Parlamenti duhet të rezonojë atë që presin njerëzit, politika është një instrument për të ndryshuar”, tha Tabaku.
Lidhur me çështjen e mbetjeve dhe interpelancën me Kryeministrin Edi Rama, Tabaku tha se ky ishte një skandal në vazhdën e shumë skandaleve që kanë ndodhur.
“Është një skandal i përmasave ndërkombëtare. Shqipëria po konsiderohet si një pikë e kuqe në transportimin ilegal të mbetjeve toksike”, tha Tabaku, ndërsa shtoi se ky skandal e bën Portin e Durrësit si një han pa porta.
Ajo tha se fillimisht Qeveria e hodhi poshtë skandalin, më pas tha se ka dyshime, ndërkohë që ka pasur një hetim nga Olaf që ka nxitur edhe një hetim nga Prokuroria.
“Nuk bëhet fjalë për një dyshim, por për dy anije që janë duke u kthyer. Këtu bëhet fjalë për një zinxhir, nga Porti i Durrësit te Ministria e Mjedisit, te kompania Kurum, tani ose këtu shteti është palë, ose këto kanë gënjyer shtetin”, tha Tabaku.