Partia vdiq, rroftë Sali Berisha që e vrau!

pd-2.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Sali Berisha, me maskë, me syze, rrethuar nga badigardët e tij, i vetmuar në shkallët e Partisë Demokratike pas shpërndarjes për më pak se pesë minuta të të gjithë mbështetësve që për dy orë kishin mbajtur të rrethuar selinë qëndrore të partisë, ishte imazhi më i trishtë i revolucionit të tij dhe që shënoi një nga ditët më të zeza të historisë së PD-së. Ashtu, i vetëm, Sali Berisha ishte si një imazh i shkëputur nga një film, ku babai përcjell për në banesën e fundit në një ditë të zymtë me shi krijesën e tij, të mbytur po nga duart e tij.

Protesta e dhunshme, përplasjet masive, skenat guerrilase, varetë mbi mure, hekura, dyer të blinduara, shkallaret dhe njerëz që kacavirreshin nëpër mure, thyenin xhama dhe nga ana tjetër ata që hidhin gurë, zbraznin bombola gazi lotsjellës, mbroheshin me hunj e tavolina, ishin fytyra më e shëmtuar që një parti opozitare në shekullin e 21 mund ti ofrojë shoqërisë shqiptare, aq më tepër kur jo më larg se 8 muaj më parë ishte edhe partia që pretendonte të qeveriste shqiptarët.

Ishte imazhi më i keq që një vend mund t’i ofrojë Europës, kur po troket prej vitesh në dyert e saj për të qenë pjesë jo vetëm gjeografike e kontinentit.

Si në 30 vitet e këtij tranzicioni, personazhi i vetëm që ka mbetur në këmbë në të tilla ngjarje të shëmtuara, qoftë në pushtet e qoftë në opozitë, ishte Sali Berisha. Të tjerët kanë ardhur dhe kanë ikur, por në tre dekada, ky njeri ka mbetur dhe i ka hapur luftë ccdo lloj kundërshtari politik jashtë gardhit të tij, me të gjitha format, dhe tani pasi ka mbyllur ciklin e ikje-ardhjeve në pushtet i është vërsulur të vetmes gjëje që i kishte mbetur pa sulmuar, ish krijesës së tij.

Skenat mesjetare të betejave epike mes feudalëve na tregojnë baltën dhe kënetën në të cilën kemi jetuar gjithë këto vite. Do të kishte qenë e vështirë të imagjinohet dhe besohet se një ngjarje e tillë do të kishte ndodhur në PD nëse nuk do të kishte qenë Sali Berisha por Lulzim Basha i dizenjuari non grata i SHBA. Edhe nëse do të kishte qenë Edi Rama, pak kush do të besonte në një katrahurë të tillë prehistorike në muret e PS-së.

Të flasim në këtë ditë se e gjithë betja mes Saliut dhe Lulit bëhet për parime, se ka votuar një shumicë pro shkarkimit e një tjetër pro përjashtimit, është sikur të kërkojmë moralitetin në një shtëpi publike dhe të drejtën mes dy grave që zihen brenda saj. Askush nuk beson më në retorikën si të njërës apo të tjetrës palë. Janë halle të tjera që mbajnë dy bejlerët e vetëm të PD-së në llogore. Hallin më të madh e ka Sali Berisha, sepse nuk e ka problemin vetëm me Lulzim Bashën. Vula dhe godina i duhet për të bërë betejen e madhe me SHBA, për t’u martirizuar dhe shpëtuar atë që mund të shpëtohet nga pasojat që do të vijnë pas vendimit amerikan.

E lindur me slloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, Partia Demokratike shënoi të shtunën në 8 janar zyrtarisht fillimin e fundit të saj. Sali Berisha i hodhi lopatwn e fundit të dheut mbi arkivol. Nesër mund të ketë një PD që nuk është ajo që ishte dhe për të cilën lindi, mund të jenë dy, tri a katër të tilla, por vështirë se secila prej tyre do të jetë forca për të cilën kemi nevojë dhe partia e 30 viteve më parë, ajo e shpresës së shqiptarëve.(SI)

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë