Kjo e shtunë e ka gjetur arenën politike në vend me një axhendë mjaft të ngjeshur takimesh brenda strukturave me qëllim përcaktimin e emrave të kandidatëve të zgjedhjeve vendore.

 

Gazetarja Enkeleda Mema raporton për Vizion Plus se Partia Socialiste ende nuk i ka zyrtarizuar 61 kandidatët e saj. Megjithatë në bashkitë më të mëdha dhe të rëndësishme të vendit do iu besohet sërish emrave të “vjetër” sfida për një tjetër mandat.

 

Kjo forcë politike e nisi ditën në Vlorë, ku edhe u mbajt Asambleja e PS.  Pas një votimi nga socialistët sfida për këtë zonë iu besuar diplomatit Ermal Dredha, i cili fitoi me 140 vota nga 40 të Fate Velajt.

 

Megjithatë ky proces nuk ka kaluar pa diskutime brenda socialisteve, ku mësohet se nuk kanë munguar as qortimet e kryeministrit mbi “lobimet” e deputetëve të rinj për t’u propozuar si kandidatë për këtë zonë.

 

Emri për Bashkinë Shkodër në radhët e socialistëve surprizoi gjithashtu. Ish deputeti socialist Benet Beci do të garojë në 14 maj për këtë zonë, që njihet si bastion i djathtë.

 

Ndërkohë diskutime mësohet të ketë pasur dhe për Bashkinë Kavajë. Drejtuesi politik i PS për këtë zonë, Taulant Balla dhe deputeti Eriom Braçe kanë diskutuar lidhur me emrin që do i përfaqësojë në zgjedhjet vendore. Megjithatë, PS do i besojë dhe këtë sfidën për Bashkinë Kavajë, Fredi Kokoneshit.

 

Bashkia Bulqizë ende nuk ka një emër që përflitet apo që është konfirmuar për të përfaqësuar logon e PS. Arrestimi i ish-kreut të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla me urdhër të SPAK ka sjellë pikëpyetje lidhur me kandidatin për këtë zonë.

 

Ndërkohë kampi tjetër politik këtë të shtunë ka zhvilluar disa takime, të cilat po përmbyllen me atë të Kryesisë së Partisë Demokratike. Skenarët politikë për zgjedhjet vendore për këtë forcë politike mbeten të hapura, ndërsa ende nuk ka një zyrtarizim të strategjisë që PD zyrtare do të ndjekë.

 

Gazetarja Olta Blaceri raporton për Vizion Plus se demokratët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për të kandidaur në zgjedhjet e PD. Teksa zhvillohet mbledhja e Kryesisë së PD, qasjet brenda llojit konsistojnë në tre. Fillimisht kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj kërkon që ‘PD e vulës’ të garojë në të gjitha bashkitë e vendit, me kandidatë për kryetarë bashkie dhe me listat e këshilltarëve bashkiakë.

 

Por, ndryshe mendon sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardh, i cili kërkon që kjo forcë të në zgjedhjet e 14 majit duhet të mbështesë kandidatët e ‘Primarëve’, që po ashtu janë demokratë. Sipas tij, kjo do të shmangte përçarjen e opozitës dhe përfitimin e kundërshtarit direkt, Partisë Socialiste.

 

Një grupim i tretë nga strukturat e PD ka hedhur në tryezë idenë e të kandiduarit vetëm në disa bashki të vendit, ku grupi i “Alibeajt” parashikon fitoren.

 

Megjithatë, diskutimet brenda PD nuk kanë marrë ende trajtën e versionit zyrtar me të cilin demokratët dhe qytetarët presin të njoftohen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re