Partizani ka arritur të marrë fitoren e parë në kampionat, duke mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 Luftëtarin.

Heroi i të kuqve në këtë takim, ka qenë Telushi i cili ka arritur të shënojë një gol mjaft të bukur me kokë, duke i dhënë 3 pikët e para në kampionat pas asaj humbjeje ndaj Kukësit.

Ndryshe nga ndeshja në kryeqytet, Luftëtari ka qenë më i rrezikshëm këtë ndeshje duke provuar disa herë t’i afrohet portës dhe të provojë të gjejë golin megjithatë ka munguar saktësia para portës.

Sakaq, të kuqtë kanë pasur mundësi të shumta për të shënuar por ka qenë portieri Paiteris ai që ka ndalur të kuqtë. Kjo ishte fitorja e parë e Partizanit në Gjirokastër pas 22 vitesh mungesë.

Skënderberu ka marrë kryesimin e Kategorisë Superiore pas dy javëve të para me pikë të plotë pasi edhe sot ka dalë me fitore ndaj Laçit në fushën e këtij të fundit.

Pritej një fitore e Laçit, që kishte gabuar edhe në javën e parë të Superiores dhe pjesa e parë la të mendohej se kurbinasit do të ishin dominues. Laçi kontrolloi lojën dhe krijoi raste përtej golit të shënuar nga Nuabueze.

Por në pjesën e dytë, skuadra e Skënderbeut reagoi dhe u tregua cinike duke shënuar dy gola të shkëlqyer me Bregun dhe Oto Xhon, për të përmbysur rezultatin dhe për të marrë tri pikët në një duel të rëndësishëm.

Kështu, korçarët e shohin veten me 6 pikë pas 2 ndeshjes, jashtë çdo parashikimi që ishte bërë për ta, ndërsa Laçi mbetet pa pikë, jashtë parashikimeve që kishte bërë vetë pasi kishte nisur sezonin me pretendime për titullin kampion.

Përfundoi në barazim pa gola sfida mes debutuesve të Superiores, Bylisit dhe Vllaznisë, rezultat ky që u shkon më shumë përshtat shkodranëve, që largohen me një pikë mjaft të vlefshme nga transferta mallakastriote.

Java e dytë e Kategorisë Superiore do të mbyllet mbrëmjen e sotme me sfidën mes Flamurtarit dhe Kukësit, që do të zhvillohet në Vlorë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re