VALENTINA MADANI / Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, zhvilloi dje një vizitë historike në Tiranë.

Ai zbriti në aeroportin “Nënë Tereza në orën 11:00 të ditës së djeshme, ku u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Europës, Igli Hasani, si dhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA Ervin Bushati. Gjatë qëndrimit 8 orësh në Tiranë, Blinken u takua me stafin e ambasadës amerikane, me Presidentin Bajram Begaj, një grup të rinjsh si dhe me kryeministrin Edi Rama. Në agjendë nuk kishte planifikuar takim me përfaqësuesit e opozitës. Zyrtari i lartë amerikan përcolli mesazhet për sigurinë, drejtësinë dhe Kosovën.

Teksa foli për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, Antoni Blinken lajmëroi se baza ajrore e Kuçovës pritet të hapet muajin e ardhshëm, zbuloi sekretari amerikan i shtetit gjatë deklaratës për median pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Sallën e Hartave, në Kryeministri.

Duket që baza ajrore ka qenë pjesë e bisedimeve dypalëshe. “Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Të 31 aleatët tanë që së shpejti do të bëhen 32 aleatë të NATO-s, do të sjellin përvoja të ndryshme, gjeografi të ndryshme, aftësi të ndryshme, kapacitete të ndryshme, por secili prej nesh ka të njëjtin angazhim në fakt të fortë, të hekurt, i cili është të ndihmojmë njëritjetrin dhe gjithashtu të sakrifikojmë, madje në vitin e fundit çdo aleat ka rritur përqindjen në ndihmë të mbrojtjes si 2% i PBB-së”, – tha Blinken.

Në total investimi kap një vlerë prej rreth 50 milionë euro. Kontributi i palës shqiptare shkon në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme. Ai vlerësoi kryeministrin Rama si një partner të jashtëzakonshëm të SHBA. Sekretari amerikan i shtetit, tha se partneriteti i vendit tonë me SHBA është tejet i fortë dhe i rëndësishëm.

Ai u shpreh po ashtu se Shqipëria është aleat kyç i NATO-s, duke u ndalur edhe te përurimi muajin e ardhshëm i bazës ajrore në Kuçovë. “Jam këtu në vizitën time të parë si sekretar i shtetit, sepse partneriteti është më i fortë se ka qenë ndonjëherë. Jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin, për njëritjetrin. Si aleat kyç i NATO dhe anëtarë OKB, kemi marrëdhënie të jashtëzakonshëm partneriteti. Kemi folur për punën tonë të fortë së bashku, për Ukrainën. Po ashtu diskutuam shumë çështje dhe sfida që përballemi, jemi përqendruar për të nxitur sigurinë që bashkëndajmë. Shqipëria ka qenë e para që ka ngritur dorën për të ndihmuar Ukrainën, dhe është një nga 10 kontribuueset kryesore për ndihmë për frymë. Shqipëria ka dhënë kontribut domethënëse gjatë viteve që është pjesë e NATO-s. Trupat shqiptare ndihmojnë të ruajnë paqen në Kosovë për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATOs”, – tha Blinken.

Më herët në fjalën e tij me të rinjtë shqiptarë në ambientet e Piramidës, Sekretari amerikan i Shtetit vlerësoi mikpritjen që ju rezervua vizitës së tij të parë në vendin tonë. Duke u ndalur te rinovimi i Piramidës që u realizua nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, Sekretari Blinken theksoi se ky vend tashmë është simbol i të ardhmes.

Sekretari Blinken nuk përjashtoi as mundësinë e një vizite të dytë në Shqipëri. Ai evidentoi marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe SHBA-së. “Amerikanët të rinj dhe jo shumë të rinj po vallëzojnë gjithë natën me Dua Lipën. Shefja e teknologjisë në “Open AI” është Mira Murati. Në Nju Jork një nga restorantet më të mira është një restorant shqiptar. Këto janë disa shembuj që shpjegojnë një gjë shumë më të madhe, kapërcimi i Shqipërisë në botën e re nuk ishte aq i thjeshtë sa të hapësh dritat, sekreti ishte te njerëzit e rinj si ju që e krijuan ndryshimin. Të rinjtë si ju janë thelbësorë për të transformuar të ardhmen e Shqipërisë. Mes nesh kemi gazetarë që po ekspozojnë korrupsionin, kemi gra sipërmarrëse që fillojnë bizneset e tyre dhe po e bëjnë Shqipërinë akoma më të hapur. Disa prej jush kanë mirëpritur familjet afgane dhe kjo tregon bujarinë e Shqipërisë”, – tha ai.

Antony Blinken u shpreh besimplotë se SHBA dhe Shqipëria do të kontribuojnë për ta bërë botën më të sigurt. Sekretari Blinken i pyetur nga mediat se pse nuk takoi opozitën, u shpreh se pati kënaqësinë të zhvillonte një sërë takimesh të rëndësishme. “Unë kam pasur mundësi të takohesha me një sërë njerëzish, kam pasur mundësi të takohem disa prej personave të reformës në drejtësi dhe kur të kthehem nga darka, do te kem mundësi të takohem më një segment tjetër dhe aktorët e ndryshëm. Por mendoj se kam marrë mjaftueshëm nga kjo ditë dhe e kam bërë me kënaqësi”, – tha Blinken.

Takimi me Kreun e SPAK

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, takoi dje edhe me kreun e SPAK, Altin Dumani, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaça, inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Në këtë takim Blinken u ka shprehur mbështetje në punën e tyre në drejtësi. Kujtojmë se Blinken ka nisur me vizitën e tij zyrtare në vend që prej orës 11:00 të paradites së djeshme. Mësohet se takimi me 4 zyrtarët e lartë të institucioneve të drejtësisë ka zgjatur rreth 10-12 minuta dhe sipas saj, Sekretari i Shtetit amerikan në emër të SHBA-ve u ka dhënë mbështetjen e plotë në goditjen dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, konfirmoi takimin me kreun e SPAK, Altin Dumani në Piramidën e Tiranës gjatë vizitës në vendin tonë. “Pata mundësi të takohem edhe me prokurorë e gjyqtarë, të cilët janë duke drejtuar reformat kryesore”, – u shpreh ai gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama.

Zyrtari amerikan Blinken tha se anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore dhe proceset duhet të ecë përpara. Ai shtoi se do të vazhdohet të mbështetja e Shqipërinë në anëtarësimin në BE.

“Sot kam pasur mundësi të takohem edhe me prokurorë e gjyqtarë, të cilët janë duke drejtuar reformat kryesore. Është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore. Ky është një proces dhe është e rëndësishme, që vazhdon të ecë përpara. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në anëtarësimin në BE, është ajo që populli meriton”, – tha ai.

Antony Blinken është takuar ditën e sotme (15 shkurt) me kreun e SPAK, Altin Dumani, kreu i ILD-së, Artur Metani dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaça.

Mediat e huaja i bën dje jehonë vizitës së Sekretarit amerikan, Antony Blinken në Tiranë. “Blinken viziton Shqipërinë, aleatin kyç rajonal të SHBA-së” këtë titull ka zgjedhur prestigjiozja amerikane “Washington Post” për të pasqyruar vizitën e Sekretarit të gjashtë amerikan që viziton vendin tonë. Thekson se me këtë vizitë Uashingtoni riafirmon marrëdhëniet me një partner kyç në Ballkan dhe një aleat në mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër agresionit rus.

Edhe “Zëri i Amerikës” shkruan se vizita e Blinken merr një rëndësi të veçantë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke dëshmuar angazhimin amerikan në këtë rajon përballë përpjekjeve destabilizuese të Rusisë. Në këtë kontekst kjo shihet dhe si një vlerësim për rolin e Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë e rajonit.

Nga ana tjetër, edhe agjencia e lajmeve “Associates Press” e cilëson Shqipërinë një aleat kyç rajonal të SHBA që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe thekson faktin se Uashingtoni ka mbështetur fuqishëm integrimin e Shqipërisë në bllok. Po ashtu, agjencia e lajmeve “Reuters” e cilëson vendin tonë një partner vendimtar për Uashingtonin dhe se kjo vizitë është shenjë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Edhe rrjeti televiziv amerikan “ABC News” ka pasqyruar në detaje takimet me zyrtarët shqiptarë dhe çështjet që do të diskutohen gjatë kësaj vizite.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re