Fermeri Pajtim Lamaj nga fshati Mbërs i bashkisë Roskovec ka vendosur asgjësimin e hardhive të rrushit për t’i zëvendësuar ato me ullishte. Ky vendim i tij vjen pas 20 vitesh kultivim vreshtash.

“Vitet e fundit s’na ka ecur mirë prodhimi i vreshtave edhe kemi arritur në konkluzionin që t’i shkatërrojmë këto vreshta për arsye mosfitimi. Do i mbjell ullinj, por prapë, s’jemi të kënaqur”, thotë Lamaj.

Lamaj tregon se ka qenë fermeri i parë që ka mbjellë vreshta në këtë zonë dhe në sipërfaqen prej tre hektarësh ka arritur të marrë deri në 300 kv prodhim. Ndërsa këtë vit, sipas fermerit është viti i parë me prodhim zero, kjo për shkak të kushteve jo të favorshme të motit, të cilat kanë shkaktuar sëmundje të hardhive, cilësia e dobët e pesticideve dhe prej mungesës së ndihmës nga ana e shtetit.

Lamaj tregon gjithashtu se të gjithë kultivuesit e vreshtave po i braktisin sipërfaqet e mbjella me rrush pasi ky vit i çoi në faliment të plotë. Dëmi financiar për fermerin Lamaj arrin në 15 milionë lekë të vjetra duke e çuar në një situatë tepër të vështirë ekonomike e madje kjo situatë ka bërë që të mendojë edhe largimin nga vendi në moshën 64-vjecare.

“Jam i pari vreshtar në zonë dhe i pari prapë që po i prish. Nga qeveria s’vihet as dorë as gjë. Plehrat janë shumë të shrenjta, pesticidet janë të skaduara. Sivjet prodhimi ka qenë pothuajse zero. Si këtë vit jo. Viti më i keq që i shkatërroi fare. Jemi bërë për të ikur jashtë shtetit të gjithë.”

Për kultivuesin Lamaj, një tjetër problem i madh për fermerët, krahas prodhimit zero është edhe sasia e rakisë e mbetur stok, për shkak të mungesës së tregut.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re