Pasi gati tre vitesh zemra e shqiptarit, Saimir Sula që ndërroi jetë në spitalin ‘Del Mar’ të Barcelonës gjatë kohës së pandemisë do t’i prehet pranë trupit. Ajo tashmë i është dorëzuar autoriteteve shqiptare.

Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se është përfunduar procesi i riatdhesimit në datën 15 korrik 2023 pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë.

Në vijim të deklaratës për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me çështjen e kërkesës së znj. Majlinda Sula për kthimin e zemrës së vëllait të ndjerë Saimir Sula, nga Barcelona (Spanjë) në Shqipëri, njoftojmë se:

Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë realizuan me sukses procesin e riatdhesimit të zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në datën 15 korrik 2023 pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë.

Me anë të kesaj deklarate të perbashkët, Ministria e Drejtësisë në cilësinë e koordinatorit të procesit, Prokuroria e Përgjithshme në cilësinë e autoritetit kompetent, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë informojnë mediat dhe opinionin publik se, ditën e sotme  ka përfunduar me sukses procesi për kthimin e zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në Shqipëri.

Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, organin (zemrën) e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve.

Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike.

Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle, por vetëm në maj 2023 u mor vendimi nga Gjykata 16 e Barcelonës për lejimin e riatdhesimit të organit (zemrës). Prokuroria e Tiranës në kohë rekord nga momenti i njoftimit të këtij vendimi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme morën masat për realizimin e procedurës së riatdhesimit të zemrës. Prokurori i çështjes, njëkohësisht, në përmbushje të detyrimeve ligjore njoftoi familjarët për praninë gjatë procesit të riatdhësimit.

Duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë publike të këtij rasti, Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të garantuar riatdhesimin e organit (zemrës). Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka informuar vazhdimisht në mënyrë transparente familjarët, konform kufizimeve ligjore, sekretit hetimor, në kushtet ku çështja është në proces nga Prokuroria e Tiranës.

Ne e mirëkuptojmë emocionalitetin dhe dhimbjen e familjarëve dhe në rastin konkret MD vetëm lehtëson procesin në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Ministria e Drejtësisë ka kryer detyrën e saj në këtë proces si autoritet qendror, me transparencë të plotë, ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe humanizmi. Nga ky moment i takon Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të kryejnë të gjitha veprimet hetimore të mëtejshme.

Gjejmë rastin të falënderojmë edhe autoritetet e drejtësisë spanjolle, të cilët kanë përshpejtuar dhe mbështetur deri në realizimin me sukses të riatdhetësimit të organit (zemrës) të të ndjerit Saimir Sula.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re