Skip to content

Pas 30-vjetësh, Bieta Sulo gjen ‘vëllanë’ në Top Talent

Të gjithë 30-vjeçarëve dhe të tjerëve mbi këtë moshë u kujtohet, me siguri, filmi “Djali elastik”, një prodhim i vitit 1984, i cili, mes shumë personazheve të njohur për kinemanë shqiptare asokohe, paska pasur edhe një vogëlushe 5-vjeçare, Bieta Sulo.

Moderatorja e Top Channel, pak javë më parë, e pyetur në lidhje me filmin, tha se pas këtij roli, asaj iu propozuan edhe të tjerë, por prindërit nuk e lejuan për shkak se ishte e lodhshme për një fëmijë.

Vëllain e Bietës, në film, e luante akrobati Ulian Xhani. Ky ishte një djalë 9-vjeçar i dalluar për mjeshtëritë e tij si akrobat, që vihet re nga gjyshi i tij. Ai i kënaq të gjithë me durimin dhe pasionin e tij. Heroi do të kalojë shumë vështirësi derisa të bashkohet me trupën e cirkut…

30 vjet më vonë, ai djali 9-vjeçar Ulian Xhani, rishfaqet në ekran, me të njëjtin pasion si fëmijë, por me shumë përvojë mbi supe.

Mbrëmjen e kësaj të premteje, konkurrente në gjysmëfinalen e “Top Talent” ishte Ebi Demollari, të cilën e shoqëronte pikërisht akrobati Ulian Xhani.

Gjatë interpretimit të numrit, Enos dhe Bietës u erdhi në kujtesë një imazh i ngjashëm, ndaj, sapo interpretimi përfundoi, Bieta iu afrua skenës: “Prisni pak, se më duket gjeta vëllanë”, – tha ajo duke iu drejtuar Ulianit, pranë të cilit qëndronte konkurrentja e spektaklit, Ebi Demollari,

Pasi e pyeti nëse ishte ai që kishte luajtur në film në moshën 6-vjeçare “Djali elastik”, Bieta mori një përgjigje miratuese duke shtuar se, në fakt, ajo ka dashur ta takojë edhe më vonë, e ka kërkuar, por nuk ka mundur. Tani që zbuloi se Uliani jo vetëm nuk e kishte lënë pasionin e tij për akrobacinë, por edhe e kishte trashëguar atë në breza, Bieta e përgëzoi “vëllain” e saj dhe, natyrisht, dha dritën jeshile për Ebin në finalen e “Top Talent”.