
Pas më shumë se tre dekadash kërkesa të vazhdueshme nga banorët, më në fund është përfunduar asfaltimi i rrugës që lidh fshatin Vehçan me qytetin e Librazhdit. Segmenti prej 3.3 kilometrash, i cili prej vitesh kishte qenë një burim shqetësimi dhe izolimi për komunitetin, tashmë është kthyer në një aks funksional dhe të sigurt për qarkullim.
Banorët e fshatit e kujtojnë me trishtim kohën kur mungesa e infrastrukturës i detyronte të përballeshin me vështirësi të mëdha, sidomos në raste emergjencash shëndetësore apo gjatë dimrit. Asfaltimi i kësaj rruge ka sjellë një ndryshim të ndjeshëm në jetën e përditshme të komunitetit dhe ka krijuar kushte më të mira për zhvillim ekonomik dhe social.Punimet u mundësuan nga fondet e Bashkisë Librazhd dhe përmbushin një nga premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale nga kryetari i bashkisë, z. Mariglen Disha.
Kryeplaku i fshatit Vehçan shprehet se përmirësimi i infrastrukturës ka ndikuar ndjeshëm në rikthimin e disa familjeve të larguara, ndërsa disa prej tyre tashmë kanë investuar në bujqësi, kryesisht në ngritjen e fermave të vogla dhe vreshtave.
Drejtori i Turizmit pranë Bashkisë Librazhd, z. Shpëtim Cura, theksoi se asfaltimi i rrugëve në zonat rurale ka qenë një nga prioritetet kryesore të bashkisë gjatë dy viteve të fundit. Si rezultat, numri i turistëve që vizitojnë zonat përreth është trefishuar nga një sezon në tjetrin, duke e kthyer rajonin në një pikë gjithnjë e më tërheqëse për vizitorët dhe investitorët.
