Gruaja e Michael Schumacher, Corinna i ka bërë thirrje tifozëve të shtatë herë Kampionit të Botës në Formula 1 që të bashkohen dhe të qëndrojnë të fortë përpara përvjetorit të gjashtë të aksidentit të tij që e la në gjendje kome.

Legjenda e F1 u përplas me një masiv shkëmbor në momentin kur po bënte ski në Meribel më 29 Dhjetor 2013. Goditje që rezultoi mjaft e rrëzikshme për shëndetin e gjermanit, i cili qëndron prej gjashtë vitesh larg vëmendjes së publikut.

Gjendja e ish pilotit është mbajtur e fshehtë nga familja dhe miqtë të Schumacher, ndërkohë që Corinna ka gjetur kohë për t’i bërë thirrje tifozëve të tij që të bashkohen në lëvizjen që do të quhet “KeepFighting”.

“Shumë grimca të vogla mund të formojnë një mozaik të madh. Së bashku jeni më të fortë dhe kjo është pikërisht mënyra sesi forcat e kombinuara të lëvizjes KeepFighting e bëjnë më të lehtë inkurajimin e të tjerëve,” tha Corinna për “Mirror”.

Faqja e titulluar si “KeepFightingMichael” do të marrë jetë këtë të dielë dhe do të menaxhohet nga klubi i tifozëve të Schumacher në Kerpen. Shtatë herë kampioni i Botës në Formula 1 u aksidentua në kokë pasi po bënte ski me djalin e tij, Mick.