51 kryetarë, sekretarë, koordinatorë të Lidhjes Demokratike të Gruas të Partisë Demokratike në Korçë kanë dhënë dorëheqje.

Lajmi është i ditur për ‘Balkan Web’ nga gazetarja Lorena Kodra, e cila ka siguruar edhe shkresën që njofton për vendimin në fjalë si dhe emrat e të dorëhequrve. Në argumentimin e vendimit të tyre, ata akuzojnë Bashën se po kthen PD-në në parti klienteliste.

Kujtojmë se më 27 korrik sekretari i Degës së Partisë Demokratike në Korçë dhe 13 anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar dhanë dorëheqjen nga të gjitha funksionet që mbajnë në partinë opozitare më të madhe në vend.

LETRA E PLOTË E 51 DREJTUESVE TË STRUKTURAVE TË DEGËVE

Të nderuar demokratë dhe demokrate!

Ne si, Kryetarë, Sekretarë dhe Kordinatore të Lidhjes Demokratike të Gruas, solidarizohemi me dorëheqjen e anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike Korçë dhe kemi vendosur të japim dorëheqjen nga funksionet tona drejtuese.

Gjykojmë që, lideri aktual i saj, po tenton me arrogancën e tij, ta kthejë Partinë Demokratike në një parti klienteliste në funksion të interesave të tij personale.

Me veprimet e tij mendojmë se z. Basha ka hedhur poshtë të gjithë mundin dhe sakrificat tona në opozitën më të vështirë në historinë e Partisë Demokratike.

Të ndodhur në këto kushte 51 Drejtues Seksionesh dhe Lidhjes Demokratike të Gruas e gjejmë të pamundur të ushtrojmë funksionet tona drejtuese.

Nga ky moment, ne mbetemi vetëm anëtarë të Partisë Demokratike Korçë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re