Nga Ylli Pata

Sot kanë ardhur dy paralajmërime të forta nga nivele të larta politike për zgjedhjet e 25 prillit. Si kryeministri Edi Rama, ashtu dhe numri dy i PS-së, Taulant Balla, kanë folur për një plani për të “hedhur në erë” 25 prillin si datë zgjedhjesh.

“Lulzim Basha nuk është rrezik për demokracinë dhe drejtësinë por mishëron rrezikun që përfaqësojnë ata që e kanë Lulzim Bashën manekin në duart e tyre. 

Lulzim Basha nënshkruan kontratë absurde për të noterizuar aktin e pengmarrjes së tij. Nga ana tjetër është e qartë që rreziku i destabilizimit të procesit zgjedhor për shkak të humbjes që afron gjithmonë e më shumë është prezent”, tha Rama në një takim me skuadrën e kandidatëve të PD-së së Fierit.

Ndërkaq, pak më pas, këtë alarm e ka lëshuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, i cili në faqen e tij të Facebook-ut shkruan:

“Lulezim! Ku je Lulezim?! Në Durrës ke një të dënuar për trafik droge në Zvicër, duhet ta tërheqësh se siç kërkon Ligji nuk mund të kandidojë. 

Kandidatin serial, subjekt të SPAKUT në Shkodër “Hile” Zefin, lërja Drejtësisë. Në Elbasan mos e ndrysho listën aman, por mos e fyej Elbasanin. 

Mjaft u more me gaztorët e tu dhe manipuluesin e kamerave të Kryeministrisë kur Saliu dhe ti qëllonit mbi popullin opozitar. 

Por në ditët në vijim do kemi habere për ty nga Elbasani… Sa për matematikën e numrave kuptohet qartë që ti i je rikthyer planit të çadrës për pengimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet do të zhvillohen më 25 prill”.

Ndërkaq, Gramoz Ruçi, kryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht kreu politik i qarkut të Fierit i ka kërkuar KQZ-së që të zbatojë ligjin.

“Dua të bëj një apel KQZ-së që të interpretojë siç duhet Kodin Zgjedhor dhe të gjitha subjektet në garë të jenë të barabarta në garë sepse siç kemi marrë vesh subjektet zgjedhore të opozitës kalojnë numrin, duke regjistruar 24 nga 18”, tha ai.

Edhe sot që flasim, PD-ja ende nuk i ka regjistruar kandidatët për deputetë në qarqe, të cilat i janë kthyer nga KQZ si për plotësimin gjinor, ashtu edhe për numrin më të madh të kandidatëve se sasia e deputetëve që ka një qark.

Vetë PD-ja ka deklaruar se nuk do ta plotësojë këtë kërkesë ligjore, pasi sipas saj i takon asaj që të vendosë sa emra i duhen.

Më pas do të nisë beteja ligjore në KQZ për verifikimet e emrave të kontestuar në lista, që sipas atyre që kanë dalë nga mediat, apo edhe nga denoncimet e mazhorancës, janë disa objeksione.

Kjo situatë do të sjellë në një situatë ku jemi në kalimin e të gjitha afateve zgjedhore, siç ka ndodhur përgjithësisht me PD-në.

Katër vjet më parë, afati i regjistrimit u shty posaçërisht me dekret nga presidenti i atëhershëm Bujar Nishani, pas daljes së Lulzim Bashës nga çadra dhe paktin me Edi Ramën, në ndërmjetësimin e SHBA-BE.

A do të kemi sërish një “çadër” të re apo një “30 qershor” të ri, ku siç edhe ka një precedent, Ilir Meta të dekretojë një datë të re zgjedhjesh, pasi një kërkese të mundshme të opozitës?!

Këto janë pikëpyetje që dalin si nga rastet e provokimit të tensioneve nga ana e PD-së në Elbasan, por edhe nga “faktet ligjore” në terren.

E natyrisht nga kërcënimet e vazhdueshme të Metës por edhe për qarqeve pranë tij, se Ramën duhet ta mundim jo vetëm në fushë por edhe në rrugë apo “dhomat e zhveshjes”.

Si zgjidhet kjo? Lulzim Basha duhet të deklarojë hapur dhe prerë se PD nuk do të minojë në asnjë mënyrë zgjedhjet e 25 prillit apo kërkojë shtyrjen e tyre.

PD mori atë që deshi për administrimin e zgjedhjeve me komisione partiake, futjen e teknologjisë në zgjedhje, apo edhe eleminimin e votës së emigrantëve.

Tashmë nuk ka më asnjë justifikim; nëse e përsërit, atëherë ky kthehet në mekanizëm politik i PD-së, që natyrisht si instrument përplasës e i dhunshëm, mund të hasë natyrisht me një qëndrim të fortë. Në radhë të parë nga ndërkombëtarët, siç ndodhi përpara 30 qershorit 2019…

TemA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re