Prokurori Arjan Ndoj është rikthyer në detyrë, ndërkohë që emri i tij është në listën e atyre që për vitin 2020 do të përballen me shkallën e parë të vettingut dhe nëse do të ketë ankimime palësh edhe në shkallën e dytë.

Por deri atëherë, prokurori Ndoj do të jetë në detyrë, duke mbajtur mbi supe dosjet e rënda të pronave dhe jo vetëm, por edhe dëshmitar në një process që ende nuk ka përfunduar përsa i përket hetimeve.

Zona bregdetare e lakmuar, dyshohet se ishte shkak, jo vetëm shkaku për arrestimit e Liridon Pulës dhe zemërimin e Kryeministrit, por edhe për atentatin që Arjan Ndojës iu bë në mbikalimin e Shkozetit kur udhëtonte në makinën e tij me Pëllumb Ymerin ose “Rumin”.

Gjashtë muaj e gjysmë iu deshën Ndojës për tu shëruar pas atentatit ku u plagos lehtë. I shpallur si simbol i grupit “kap ça të kapësh” nga Kryeministri, pasi arrestoi drejtorin e Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula. Mbi Pulën u ngritën akuza që lidheshin me regjistrimin e paligjshëm të pronave, duke tjetërsuar pronësinë në bregdetin e Lalëzit.

Shoferi i prokurorit, Andi Maloku, u plagos rëndë dhe humbi jetën vetëm pak ditë pas atentatit, ndërsa Ndoja doli nga spitali 18 ditë më vonë. Që atëherë ka qëndruar larg Prokurorisë së Durrësit me raporte mjekësore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re