Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj, thotë se pas takimit që ka zhvilluar me ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, është sulmuar nga persona, që sipas tij kanë qasje anti-amerikane.

Teksa foli për detajet e takimit me ambasadoren amerikane, Shehaj u shpreh se sulmet i janë bërë nëpërmjet disa mekanizmave që janë përdorur gjatë fushatës elektorale dhe tani po përdoren kundër tij.

“Ambasadorja ishte e interesuar rreth kandidimit tim dhe diskutuam mbi këtë dhe çështje të tjera politike.

Ka patur shumë reagim në fakt, ka pasur kritika, ka pasur edhe sulme. Ka pasur kritika, sepse realisht shumë demokratë janë lënduar nga vendi i DASH për të shpallur  non grata z. Berisha dhe është e kuptueshme.

Ka pasur sulme në rrjete social, nëpërmjet disa mekanizmave që janë përdorur gjatë fushatës elektorale dhe tani po përdoren kundër meje. Janë individë të caktuar që punojnë…

Ka demokratë që në mënyrë spontante kanë reaguar për vendimin e DASH, por nga ana tjetër ka pasur sulme që kanë shfrytëzuar këtë zemërim nga individë të caktuar që punojmë për PD, që kanë filluar të punojmë kohët e fundit me qasje qartësisht antiamerikane”, tha Shehaj në Euroneës.

Ata që e kanë sulmuar në fakt, kanë qenë fanatikë të Berishës dhe media e familjes së tij.

Por si të mos mjaftonte kjo, Lulzim Basha i ka vërsulur edhe Ervin Salianjin.

Me anë të një reagimi, Salianji i konsideron deklaratat e Shehajt si akuza të rëndomte.

Sipas Salianjit, në PD nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë antiamerikan.

Ndërsa thotë se ato janë shpifje, shkruan se “një gjë të tillë ka guxuar ta thotë vetëm Edi Rama”.

“Keqardhje për akuzat e rëndomta e mbi të gjitha të pavërteta të  kandidatit Agron Shehaj. Një gjë është e sigurt, që në Partinë Demokratike, nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë asnjeherë vend për asnjë antiamerikan.

Në vendin më proamerikan në botë dhe në partinë më proamerikane, të kërkosh për antiamerikanë dhe të aludosh se ata janë pjesë e partisë ku bën pjesë  është ofendim i ulët dhe një dëm që tentojnë ti bëjnë PD.

Një gjë të tillë deri më sot me shpifjen që e karakterizon ka guxuar ta thotë vetëm Edi Rama”, shkruan Salianji.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re