Pas Champions League është radha e skuadrave të Europa dhe Conference League që të zbresin në fushën e lojës për ndeshjet e para çerekfinale.
Në Europa League, një prej ndeshjeve çerekfinale u zhvillua dje, ajo mes Bragës dhe Real Betis në derbin iberik, e mbyllur me barazimin 1-1, ndërsa tre ndeshjet e tjera do të luhen në mbrëmjen e sotme.
Ndeshja që spikat është ajo mes Bolognas dhe Aston Villas, me italianët që janë e vetmja përfaqësuese e Serie A, ndërkohë që përballë skuadrën që renditet në vendin e katërt në Premier League.
Ndeshje interesante është edhe ajo që do të luhet në Portugali mes Portos dhe Nottingham Forest.
Ka edhe një duel gjermano-spanjoll, ai mes Freiburgut dhe Celta Vigos.

Po sot do të luhen edhe sfidat e para çerekfinale të Conference League.
Gjithçka do të nisë me një sfidë me protagonistë futbollistë shqiptarë: Rayo Vallecano-AEK Athinë. Nga njëra anë është skuadra spanjolle ku aktivizohet Ivan Balliu, në krahun tjetër është ekipi grek me Thomas Strakoshën dhe Stavro Pilon.
Fiorentina, e vetmja skuadër italiane në këtë kompeticion, do të masë forcat me Crystal Palace, ndërsa dy ndeshjet e tjera të këtij kompeticioni janë Mainz-Strasbourg dhe Shakhtar Donetsk-Alkmaar.




