Mjeku amerikan Larry Nassar, 59 vjecc, i cili u dënua me 175 vjet për abuzim seksual me gjimnastët, u godit me thikë në burg, por gjendja e tij është stabile sipas mediave amerikane. Nassar pësoi plagë të shumta me thikë pas një sherri me një nga të burgosurit.

Presidenti i sindikatës së oficerëve të burgjeve lokale Joe Rojas tha për CNN se Nassar u godit me thikë 10 herë – dy herë në qafë, dy herë në shpinë dhe gjashtë herë në gjoks.

“Personeli që reagoi menjëherë filloi masat për shpëtimin e jetës. I burgosuri u transportua në një spital lokal për trajtim dhe vlerësim të mëtejshëm,” tha zëdhënësi i zyrës Benjamin O’Cone.

FBI është njoftuar për incidentin dhe një hetim i brendshëm është në vazhdim, tha O’Cone, duke shtuar se asnjë personel apo të burgosur të tjerë nuk u lënduan.

Mjeku shumëvjeçar i ekipit amerikan të gjimnastikës u dënua në vitin 2018 me 175 vite burg për abuzim seksual me gjimnastët e rinj që dëshmuan për ditë të tëra, rreth 160 prej tyre, përfshirë medalistët olimpikë. Një vit më parë ai u dënua me 60 vjet burg për posedim dhe shpërndarje pornografie për fëmijë. Përveç punës për ekipin Olimpik, Nassar ishte gjithashtu mjek i ekipit për gjimnastët e Universitetit Shtetëror të Michigan-it.

Pas skandalit Nassar, Universiteti Shtetëror i Michigan-it ra dakord për një marrëveshje prej 500 milionë dollarësh me qindra gra që ai sulmoi seksualisht, ndërsa Shoqata e Gjimnastikës në SHBA dhe Komiteti Olimpik dhe Paraolimpik i Shteteve të Bashkuara arritën një marrëveshje prej 380 milionë dollarësh. Një raport i korrikut 2021 nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë Michael Horowitz zbuloi dështime të gjera dhe skandaloze nga FBI që lejuan Nassar të vazhdonte të abuzonte me të paktën 70 viktima të tjera përpara se të arrestohej përfundimisht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re