Menjëherë pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi dhe deklarimit të aktakuzave për ish-udhëheqësit e UÇK-së, Haradinaj propozoi të ndërpritet dialogu me Serbinë. Por nuk kanë mendim të njëjtë partnerët e koalicionit, LDK-ja.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk e ka përfillur kërkesën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj. Në një prononcim për Gazetën Express, Mustafa ka thënë se dialogu nuk ka arsye të ndërpritet dhe se bëhet për interesa të Kosovës dhe jo për ato të Serbisë.

Pasi Gjykata Speciale ia konfirmoi aktakuzat katër figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, partia e Haradinajt mbajti mbledhjen e kryesisë, nga e cila dolën me katër kërkesa, e para nga to kërkonte që “Qeveria duhet të ndërpresë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re”, citon Express.

Mustafa foli edhe për konfirmimin e aktakuzave kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se kanë reflektuar shembull të mirë të bashkëpunimit më drejtësinë.

“Z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi si dhe z. Krasniqi kanë reflektuar shembullin më të mirë të bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë dhe besimin në këto institucione”, përfundoi Mustafa.

Edhe në të kaluarën ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka shprehur pakënaqësi lidhur me dialogun e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ndërsa nuk dihet nëse kjo deklaratë e Mustafës do të çojë në një përçarje më të madhe mes partnerëve të koalicionit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re