Drejtuesi Politik i PD në Elbasan, Gazment Bardhi u takua këtë të martë me “Shoqatën e Gjuetarëve” për të diskutuar me ta për moratoriumin e gjuetisë.
Për Bardhin, moratoriumi është i paligjshëm dhe është bërë për të fshehur kanabisin.
“Moratoriumi i gjuetisë përpara shtatë viteve ishte një marrëzi, me pretendimin që qeveria do të shtonte faunën e egër, do të shtonte habitatet e duke dhënë shumë premtime.
Por faktikisht gjendja sot është 100 herë më keq sesa përpara vitit 2013 kur u vendos moratoriumi i gjuetisë, sepse lulëzoi gjuetia e kundraligjshme…dhe morën forcë ata që kishin miq prokurorë, gjyqtarë, policë e politikanë, dhe ata që kishin paranë, dhe kanë gjuajtur si t’u dojë qejfi, sepse shteti nuk është në gjendje ta kontrollojë dhe fatëkeqësia është kjo që: një shtet që nuk është në gjendje të zbatojë ato ligje që i miraton vetë, ai pothuajse ka mbaruar.
Nuk kemi qenë dakort me zgjatjen në 2016-tën, dhe nuk e kemi miratuar edhe për faktin se të gjithë, bashkarisht, biem dakord për arsyet e vërteta të ndalimit të gjuetisë.
Arsyeja e vërtetë e ndalimit të gjuetisë, dhe që nuk hapet edhe sot që flasim, është pikërisht fakti që ajo pjesë e territorit, që shpesh shërben edhe si hapësirë ku ju ushtroni veprimtarinë tuaj, u mboll me kanabis, dhe veprimtaria juaj vinte në rrezik zbulimin e parcelave të drogës. Kjo ishte arsyeja kryesore, motivi politik, që çoi në ndalesë 8 vjeçare të gjuetisë”, deklaron Bardhi!
Gjuetarët nga ana tjetër u shprehën se moratorium i ka ndaluar edhe profesionistët e licencuar, që nuk e dëmtojnë natyrën dhe botën e egër.
Gazment Bardhi u angazhua se PD me ardhjen në pushtet, do ta heqë këtë ndalesë.
Nje takim i tille i numrit 2 te PD me shoqaten e gjuetarev e ne Elbasan, vjen disa dite pas takimit te kryesuesit te listes se deputeteve ne Gjirokaster, Tritan Shehu me kete shoqate.
