“Hotel Tirana International” i njohur si 15 katëshi mbylli së fundmi përkohësisht dyert e aktivitetit pas 41 vitesh punë për shkak të krizës që krijoi pandemia Covid -19.

Burimet nga stafi i menaxhimit bënë me dije se nga tërmeti i vitit të shkuar e deri më tani hoteli u mbajt i hapur nën humbje të mëdha. Kostot e larta fikse për pagesat e punonjësve dhe mirëmbajtjen e godinës e bënë të pamundur vijimësinë. Hoteli, i cili është në funksion që nga viti 1979 do të pushojë aktivitetin deri në përmirësimin e situatës pandemike, dukë lënë pas 100 persona të papunë.

Të njëjtat burime pohuan se stafi do të përfitojë asistencën sociale sipas ligjeve në fuqi, me shpresën e rikthimit në punë me përmirësimin e situatës.

Hotel Tirana është një nga më të mëdhatë në kryeqytet me standardin e katër yjeve me 170 dhoma dhe si një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimit të Konferencave.

Veç të tjerash godina e Hotel Tiranës është simbol i kryeqytetit. Ai u vu në funksion në kohën e diktaturës në vitin 1979 pas 10 vitesh punime, me një arkitekturë të stilit socialist.

Ishte ndërtesa më e lartë e vendit deri para disa vitesh. Përdorej ekskluzivisht për delegacione dhe turistë të huaj çka e ka bërë një vend misterioz dhe intrigues për shqiptarët.

Në vitet 2004 hoteli u shit nga qeveria kundrejt një grupi investitorësh vendas kundrejt një vlerë 5.1 milionë euro. Në vitin 2001 ju nënshtrua një rikonstruksioni dhe rimodelimi të plotë, duke e kthyer në një hotel me standarde 4 yje, por paprekur hapësirave që e karakterizojnë.

Në vitin 2012, Ramë Geci, sipërmarrës në ndërtim, bëhet 100% pronar i “Hotel Tirana International”, teksa vlera hotelit arriti 37.5 milionë euro.

Hotel Tirana International ka qenë prej vitesh në listën e monumenteve të kulturës deri në vitin 2015 ku me vendim të Ministrisë së Kulturës nuk gëzon më këtë status.

Kompania Geci aktualisht është në kulmin e një investimi të ri që synon zgjerimin e Hotel Tiranës me një hotel të ri rreth 30 kate me pesë yje ngjitur me godinën aktuale të Tirana International.

Më herët u mbyll dhe “Hilton”

Pandemia ka dëmtuar rëndë sektorin e akomodimit në të gjithë botën. Për shkak të kësaj krize me herët këtë vit mbylli aktivitetin e hotel Hillton në Tiranë, i cili kishte pak më shumë se një vit aktivitet në vendin tonë.

Burime pranë hotelit konfirmuan se pavarësisht situatës së vështirë, u mbajt në punë, për muaj të tërë, pjesa më e madhe e stafit, me shpresën se puna do të niste në shtator. Situata nuk u përmirësua apo ndryshoi, ndaj përballë presionit për të paguar kredinë e investimit dhe pagat që zinin një fond jo të vogël, kompania u detyrua të bëjë zgjedhjen e mbijetesës në këtë moment të vështirë për të gjithë. Hoteli do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri në fund të marsit 2021.

Të njëjtat burime thanë se stafi menaxhues i hotelit ka lëvizur dhe, edhe menaxheri kryesor, i cili drejtonte “Hilton Garden Inn” në Tiranë, tashmë është dërguar për të menaxhuar një nga strukturat hoteliere të grupit në Turqi. Largimi i stafit nuk ka qenë i lehtë në kushtet kur shumë prej tyre ishin trajnuar për një kohë të gjatë për të ofruar shërbimin sipas standardit që kërkon marka.

“Hilton Garden Inn” ishte marka e parë ndërkombëtare që hyri në tregun shqiptar pas largimit të “Sheraton” në fund të vitit 2017 i cili la pas një shije të hidhur.

Sektori i hotelerisë në vendin tonë është në kulmin e zgjerimit, por kriza e pandemike pritet të vërë në vështirësi edhe më të madhe eficencën e këtyre investimeve./Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re