Të hënën, Gjermania përballet me akuzat e Nikaraguas në gjykatën më të lartë të OKB-së në Hagë se ajo “lehtësoi kryerjen e gjenocidit” kundër palestinezëve duke ofruar mbështetje ushtarake dhe politike për Izraelin.

Nikaragua paditi Gjermaninë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), duke kërkuar që gjyqtarët të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar Berlinin që të furnizojë Izraelin me armë dhe ndihma të tjera.

Sebastian Fischer, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, u tha gazetarëve përpara seancës: “Ne i hedhim poshtë akuzat nga Nikaragua”.

“Gjermania nuk ka shkelur as Konventën për Gjenocidin, as të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe ne do ta vërtetojmë këtë plotësisht para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Nikaragua do të paraqesë argumentet e saj të hënën dhe Gjermania do të përgjigjet të nesërmen.

Në një dosje gjyqësore prej 43 faqesh, Nikaragua pretendon se Gjermania po shkel Konventën e Kombeve të Bashkuara për Gjenocidin e vitit 1948, të miratuar pas Holokaustit.

“Duke dërguar pajisje ushtarake dhe tani duke mohuar financimin për UNRWA-n (agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë), Gjermania po lehtëson kryerjen e gjenocidit,” thuhet në parashtresa.

“Dështimi i Gjermanisë është edhe më i dënueshëm duke pasur parasysh se ajo ka krijuar një marrëdhënie të privilegjuar me Izraelin, e cila do ta lejonte atë të ndikojë pozitivisht në sjelljen” e atij vendi, shtoi Nikaragua.

Nikaragua i kërkoi GJND-së të vendoste mbi “masat e përkohshme” – urdhra emergjente të lëshuara ndërsa gjykata shqyrton një çështje më të gjerë.

“Është e domosdoshme dhe urgjente” që gjykata të urdhërojë masa të tilla duke pasur parasysh se jetët e “qindra mijëra njerëzve” janë në rrezik, thonë argumentet e Nikaraguas.

“Reagimi i duhur”

GJND-ja u krijua për të gjykuar mosmarrëveshjet midis kombeve dhe u bë një lojtar kyç në luftën midis Izraelit dhe Hamasit që shpërtheu më 7 tetor.

Në një rast tjetër, Republika e Afrikës së Jugut akuzoi Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës, të cilin Izraeli e mohon me forcë.

Në atë rast, gjykata urdhëroi Izraelin të bënte gjithçka në fuqinë e tij për të parandaluar aktet gjenocidale, dhe së fundi e ashpërsoi qëndrimin e tij, duke urdhëruar masa shtesë që e detyronin Izraelin të rrisë aksesin në ndihma humanitare.

Vendimet e gjykatave janë të detyrueshme, por i mungon një mekanizëm përmbarues. Për shembull, ajo urdhëroi Rusinë të ndalonte pushtimin e saj në Ukrainë, por pa dobi.

Nikaragua kërkon pesë masa të përkohshme, duke përfshirë që Gjermania “të pezullojë menjëherë ndihmën për Izraelin, veçanërisht ndihmën ushtarake duke përfshirë pajisjet ushtarake”.

Gjykatës i kërkohet gjithashtu të urdhërojë Gjermaninë të “shfuqizojë vendimin e saj për të pezulluar fondet për UNRWA-n”.

Gjermania tha në janar se po ndalonte fondet në pritje të një hetimi mbi pretendimet izraelite se disa anëtarë të stafit të UNRWA-s morën pjesë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit.

Nikaragua shkroi në parashtrim se “mund të jetë e kuptueshme” për Gjermaninë të mbështesë një “përgjigje të përshtatshme” nga aleati i Izraelit ndaj sulmeve të Hamasit në tetor, “por kjo nuk mund të jetë një justifikim për të vepruar në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.

Të premten, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se Izraeli “nuk ka më justifikime” për vonimin e ndihmës për Gazën.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re