Forcat ruse kanë përdorur mbi 1200 raketa dhe dronë për të sulmuar sistemin energjetik të Ukrainës, sipas një deklarate nga kompania ukrainase e energjisë Ukrenergo.

 

Kompania nuk tregoi një periudhë specifike kohore në deklaratën e saj, raporton BBC.

 

Duke nisur që nga tetori, forcat e Moskës kanë lëshuar qindra raketa dhe drone në infrastrukturën energjetike larg vijës së frontit, duke ndërprerë përkohësisht energjinë elektrike, ngrohjen dhe ujin për miliona banorë.

 

Nga 1200 raketa, 250 goditën vendet e Ukrenergo, duke shkaktuar dëme në 43% të rrjetit kryesor të energjisë të Ukrainës, sipas ndërmarrjes. Të gjitha termocentralet dhe hidrocentralet pësuan shkallë të ndryshme dëmtimi, tha kompania.

 

“Gjatë gjashtë muajve më të ftohtë të vitit, armiku është përpjekur të na marrë energjinë dhe nxehtësinë duke shkatërruar infrastrukturën tonë energjetike,” tha Ukrenergo.

 

Kostoja e riparimeve emergjente në rrjetin e energjisë do të arrijë më shumë se 1 miliard dollarë, thuhet në deklaratë, duke cituar një vlerësim nga Banka Botërore dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

 

Ukrenergo tha se ka marrë pothuajse 500 njësi të pajisjeve zëvendësuese dhe më shumë do të prodhohen dhe dërgohen në Ukrainë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re