VALENTINA MADANI/ Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht rezolutën e Kuvendit të Kosovës pas sulmit në Banjskë. PS-ja u tërhoq nga propozimi për të mbajtur një qëndrim më të zbutur.

Pas diskutimeve të gjata mes palëve në Konferencën e Kryetarëve, socialistët ranë dakord me qëndrimin e opozitës për të mbështetur pa rezerva rezolutën e Kosovës, duke bërë të mundur kështu që Kuvendi i Shqipërisë të unifikojë qëndrimin me Kuvendin e Kosovës, sipas parimit “Një komb, një qëndrim”.

Palët arritën kështu dakordësinë që sot Kuvendi të miratojë një rezolutë, që parashikon mbështetjen plotësisht të Rezolutës Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023. Konkretisht kërkohet hetim ndërkombëtar dhe nxitje për të vijuar dialogun, me qëllim final njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Në këtë mënyrë, Shqipëria unifikon plotësisht qëndrimin me Kosovën, duke mbajtur përgjegjëse Serbinë për sulmin e 24 shtatorit dhe duke bërë gjithçka që të ketë një hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë. Por çfarë parashikon rezoluta e Kuvendit të Kosovës dhe që pritet të mbështetet sot nga Kuvendi i Shqipërisë?

“Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës; duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon; të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve iu garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit. Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cenuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, – thuhet në rezolutë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës “dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdollojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës; vlerëson punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të sprapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit; ofron mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kërkon nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës”.

Gjithashtu, në rezolutën e Kuvendit të Kosovës thuhet: “Inkurajon dhe mbështet pluralizmin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës. Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar shtetin e së drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike; konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”.

Më herët grupi parlamentar i PD-së kërkoi unifikimin e qëndrimit të Kuvendit të Shqipërisë me atë të Kuvendit të Kosovës, duke mbështetur rezolutën që ky i fundit miratoi më 28 shtator. Në atë rezolutë bëhet përgjegjëse Serbia për sulmin më 24 shtator dhe kërkohet hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, propozoi më 29 shtator unifikimin e qëndrimit me Kuvendin e Kosovës, vetëm një ditë pasi Kosova miratoi rezolutën e saj.

Nga ana e tij, grupi parlamentar i PS-së nuk ishte i këtij qëndrimi dhe prezantoi një propozim të tijin, duke pasur një qasje më të balancuar. Në draftin e dorëzuar në 2 tetor nga kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi, propozoheshin disa qëndrime më të zbutura në raport me rezolutën e Kosovës, duke shmangur nga përgjegjësia Serbinë dhe duke shmangur hetimin ndërkombëtar ndaj Serbisë, të cilës socialistët donin t’i njihnin rolin për të hetuar ajo vetë sulmin.

Edhe pse palët shprehen në vazhdim vullnetin për të dalë më një qëndrim të përbashkët, ato u ndanë qartësisht në qëndrime për disa ditë. Por 24 orët e fundit, opozita ia doli që të bindë mazhorancën që të ndryshojë qëndrim.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re