Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e CDU/CSU, Peter Beyer, pas Prishtinës nisi një vizitë  në Beograd, ku është takuar me presidentin Vuçiç.

Aty, ai tha se ka një ide për të cilën ia vlen të mendohet. E sipas tij, bëhet fjalë për modelin dy Gjermanive, që siç tha, mund të jetë si një shembull që do t’i shërbente situatës.

“Harta e rrugës është e qartë, dy palët, Serbia dhe Kosova, duhet të punojnë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Ne kemi folur për procesin e njohjes. Sigurisht që ne mendojmë se do të ishte më mirë që anëtarësimi i Serbisë në BE të vijë si rezultat i njohjes së plotë të pavarësisë së Kosovës, por ne e dimë që një gjë e tillë është e ndërlikuar dhe pothuajse e pamundur. Sepse ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, dhe nuk është një çështje e thjeshtë, megjithatë ky koncept dhe propozim nuk është i ri. Ky është një koncept që ne e kemi pasur një herë në mes të dy Gjermanive, që rezultoi me ribashkimin e dy Gjermanive, gjë që nuk është dëshira jonë në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore bashkëjetuan në aspektin e organizatave ndërkombëtare, por nuk e njihnin njëra-tjetrën. Një lloj i tillë bashkëjetese do të ishte i mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë kam folur për një gjë të tillë me presidentin e Serbisë, dhe është një ide për të cilën ende ia vlen të mendohet”, citohet të ketë thënë Beyer.

Por përvec propozimeve, Beyer ka ripërsëritur qëndrimin gjerman kundër shkëmbimit të territoreve dhe ka thënë se njohja e plotë e Kosovës është një kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkim Evropian.

Kujtojmë se javën e kaluar Beyer qëndroi në Prishtinë ku ka takuar përfaqësuesit kryesor të politikës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re