Kanë nisur kontrollet tashmë edhe në Vlorë, për zbulimin e kamerave të sigurisë të instaluara në rrugët e qytetit, apo në biznese lokale të cilat mund ti shërbejnë organizatave kriminale. Aksioni ka filluar mëngjesin e sotëm, teksa policia e Vlorës shprehet e rezervuar ne dhenien e informacioneve, madje edhe aksionin ne fjale po e zhvillon ne menyre diskrete. Priten informacione nëse edhe në Vlorë do të zbulohen ose jo kamera sigurie të kontrolluara nga krimi të cilat mund të hiqen në ditët në vijim.
Kujtojmë që brenda dy viteve të fundit policia e Vlorës ka instaluar kamera sigurie në rrugët kryesore të qytetit, projekt i cili po vijon ende. Do të ketë një kontroll të imtësishëm edhe në serverat e këtyre kamerave sigurie për tu siguruar se në mënyrë private edhe tek to mund të jenë futur organizatat kriminale për ti patur në kontroll. Gjithashtu po krehet zona në një territor të gjerë, për të evidentuar vende ku mund të jenë vendosur kamera të tjera sigurie veç atyre të policisë së shtetit.
Policia e Vlorës konfirmon se deri tani ka patur kontrolle dhe sekuestro të kamerave të sigurisë për gjithë ata persona të cilët i kanë vendosur ato në kundërshtim me ligjin. Në shumë pjesë të qytetit janë vendosur kamera sigurie në hapësira publike që nuk i takojnë biznesit apo individëve. Këto kamera sigurie cënojnë privatësinë e individëve, teksa mund edhe të përdoren nga eksponent të krimit të organizuar.