Kuvendi i Kosovës më në fund i ka dhënë dritën e gjelbër projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Në tentimin e shtatë, votuan 64 deputetë pro për ta kaluar në parim këtë projektligj. Kundër projektligjit kishin dalë partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës. Pika më e diskutuar në kuadër të këtij projektligji ka qenë ajo që ua mundëson qytetarëve të tërheqin dhjetë për qind të mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës. Votimit i parapriu një debat mes krye-parlamentares Vjosa Osmani dhe shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, me krye-parlamentaren e cila tha se s’është kontaktuar fare nga Qeveria për projektligjin. Megjithatë, Osmani e konfirmoi votën pro teksa po ashtu kërkoi nga pushtetarët që në mes të dy leximeve të merren parasysh edhe vërejtjet e opozitës.

Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti. Për të ndihmuar sektorin privat, Qeveria e Kosovës më 28 shtator, ka ndarë rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera. Nga kjo vlerë, 60 milionë euro u ndanë për bizneset, të cilat do të përfitojnë varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019. Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. 

*

Arrest shtëpiak ndaj nënkryetarit të LDK-së 

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur për masë të arrestit shtëpiak ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, njëkohësisht nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova dhe dy të tjerëve.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit H.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Haki Rugova dhe një zyrtar tjetër, L.B. kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri mund të ndikojnë tek zyrtaret Komunalë, por edhe tek dëshmitarët e tjerë në drejtim te fshehjes dhe ndryshimit të provave materiale e me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale.

Gjithashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale dhe duke pas parasysh pasojat e rënda që kanë këto vepra penale për shoqërinë, përhapjen e tyre në masë shqetësuese si dhe faktin se i pandehuri H.R edhe më parë ka qenë i njohur për organet e drejtësisë për vepër penale konflikt interesi, tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të të pandehurve ne liri, të njëjtit mund te përsërisin veprat penale apo të kryejnë ndonjë vepër të re penale.

*

Kryetari Mustafa thotë se arrestimi i zëvendësit të tij, është politik

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se arrestimi i kryetarit të Istogut, njëherit nënkryetarit të LDK-së Haki Rugovës, është bërë pa asnjë bazë ligjore dhe se ky arrest është kryer në ditën kur është raportuar për 100-ditshin e Qeverisë, që sipas tij, ka pasur për qëllim njollosjen e Qeverisë.

“Në emër të LDK-së kërkojë të zhvillohet sa ma shpejt procesi gjyqësor, të vërtetohet baza ligjore e akuzave ndaj Haki Rugovës, në qoftë se ky proces zhagitet ne konsiderojmë se arrestimi, degradimi para opinionit si kryetar i komunës, si nënkryetar i LDK-së, si familjar është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe ta dëmtojë LDK-në”, ka thënë Mustafa.

Në konferencë ishte edhe avokati i Rugovës Besnik Berisha, i cili poashtu theksoi se arrestimi është i paligjshëm.

“Ata të cilët paguajnë taksa e kanë mandate kushtetuese për të menaxhuar apo ndëshkuar abuzimet dhe menaxhuar ndëshkimet, ta kuptojnë që në rastin e Haki Rugovës është eksperimentuar. Është persekutuar dhe ajo që i ka ndodhur atij, s’duhet t’i ndodhë askujt, pavarësisht statusit të tij si qytetar apo person me pozitë zyrtare”.

Mes tjerash avokati Berisha tregoi se njoftimin për arrestim Rugova e ka marrë derisa ishte duke drekuar në një restorant në Istog dhe për 15 minuta Policia ka mbërritur në vendndodhjen e kreut të Istogut. Rugova është arrestuar nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke u dhënë familjarëve tokë të komunës, për të operuar në biznesin e gurthyesit.

*

Thaçi thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili po qëndron në SHBA thotë se aty ka marrë mbështetje të plotë për integrimin euro-atlantik të Kosovës.

Thaçi të dielën ka thënë se me zyrtarë të shtetit amerikan diskutuan për hapat që duhet të ndërmerren në ecjen përpara të shtetit tonë.

“Mund të them se pas vizitës që kisha javën e kaluar në Bruksel ku diskutova me të ngarkuarin special të Bashkimit Europian për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi ishte mundësi dhe ishte e nevojshme dhe e domosdoshme që të jem edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që në këtë fazë të dialogut Kosovë-Serbi por edhe hapave tonë të mëtutjeshëm për integrime euroatlantike të jemi në Uashington dhe kisha kënaqësinë e veçantë që të bashkëbisedojë me zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së SHBA-së për hapat që duhet t’i ndërmarrë Kosova aktualisht por edhe në të ardhmen”, u shpreh Thaçi për RTV21.

“Mund të them lirisht se SHBA vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën në zhvillimet e brendshme, në stabilitetin institucional, në prioritetet që kemi ne si shtet dhe Kosova do të vazhdojë të mbetet aleati më besnik i SHBA-së në rajonin tonë”, shtoi i pari i vendit.

Thaçi thotë se në Bruksel dhe SHBA kërkoi që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të ketë vetëm një rend dite, çështjen e njohjes reciproke në mes të dy vendeve.

“Bashkëpunimi me SHBA-në është në vazhdën e angazhimeve tona strategjike, por ajo që duhet të theksoj është që edhe me zyrtarët në Bruksel por edhe në SHBA kam theksuar qartë se çështja e dialogut Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë të re dhe duhet të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës, ajo e njohjes reciproke në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe pastaj vijnë çështjet e tjera. Ne duhet të vazhdojmë këtë proces duke filluar nga koka e çështjes dhe jo nga bishti”, tha Thaçi.

*

Hoti paralajmëron shtrëngim të masave, pret valë të re të koronavirusit në Kosovë

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se rreziku nga një valë e re e COVID-19 në Kosovë është shumë i madh.

“Në dy javët e fundit, numri i të prekurve ka qenë në rënie, me rreth 30 raste aktive për çdo 100 mijë banorë. Por, parashikimet janë se ky numër shpejt mund të kalojë shifrën prej 50, dhe atëherë sipas protokolleve duhet shtrënguar masat, siç po ndodh në shumicën e vendeve të BE-së. Në anën tjetër, nxënësit që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 si përqindje e numrit të nxënësve të testuar është i lartë, që është rrezik serioz i përhapjes së virusit. Prandaj, të gjithë duhet të kemi mirëkuptim për shtrëngimin e masave në javët në vijim, që përfshijnë ndërprerje të tubimeve të mbyllura, kufizime të çdo aktiviteti ku mblidhen qytetarë, kontroll rigoroz i shkollave për përmbushje të masave për mbrojtjen nga covid-19 dhe masa të tjera”, ka shkruar Hoti në Facebook.

*

Lansohet “Aplikacioni online për leje ndërtimi” në Prishtinë 

Është lansuar sistemi “Aplikacioni online për leje ndërtimi” në komunën e Prishtinës, e para në Republikën e Kosovës dhe në rajon, e cila digjitalizon procedurën për leje ndërtimi, njoftoi Komuna. Përmes këtij aplikacioni do të mundësohet digjitalizimi i tërë procedurave të aplikimit dhe procesit të trajtimit të kërkesave. Deri më tani procedura e trajtimit të kërkesave ka qenë manuale, ndërsa palët kanë aplikuar fizikisht në Drejtorinë e Urbanizmit.

“Aplikacioni online për leje ndërtimi” do të implentohet në faza. Fillimisht do të mundësohet aplikimi dhe trajtimi i kërkesave për KUSHTE NDËRTIMI kategoria 1, që në muajt në vijim do të pasojë me qasje në sistem edhe për procedurat e trajtimit edhe të kërkesave tjera pasi që të njëjtat janë në fazën e testuese”, thuhet në njoftim.

Aplikacioni për disa ditë është në fazën testuese, ndërsa nga e hëna, 12.10.2020, mund të shfrytëzohet zyrtarisht.

Vjegëza për aplikim: http://eleja.prishtinaonline.com/

*

Kosova mposhtet edhe nga Sllovenia

Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka vazhduar me rezultate të dobëta. Pas humbjes në Shkup nga Maqedonia Veriore me rezultat 2:1 me të cilën i shuajti shpresat për kualifikim në kampionatin europian, Kosova u mposht të dielën mbrëma edhe në Prishtinë nga Sllovenia me rezultat 0:1. Kjo ndeshje ishte e vlefshme në kuadër të Grupit 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve. Kosova ndodhet në vendin e tretë me një pikë pas tri ndeshjeve. Është gjashtë pikë prapa Greqisë e Sllovenisë që kryesojnë grupin. Ndeshjen e radhës Kosova e luan në udhëtim ndaj Greqisë më 14 tetor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re