UASHINGTON – Pentagoni ka anuluar planet që Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin të udhëtojë në Bruksel për takime kyçe për Ukrainën dhe për bisedime me aleatët e NATO-s, vetëm një ditë pasi ai u shtrua sërish në spital.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se takimet për Ukrainën përmes Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, të caktuara për të mërkurën, tani do të zhvillohen virtualisht.

Nuk dihet ende nëse Austin do të marrë pjesë në atë takim, apo se si Departamenti i Mbrojtjes do të trajtojë një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s të planifikuar për të enjten.

Vendimi i së hënës për të anuluar udhëtimin vjen më pak se 24 orë pasi zyrtarët e mbrojtjes njoftuan se Austin ishte kthyer në spital.

“Për momentin, nuk është e qartë se për sa kohë Sekretari Austin do të qëndrojë i shtruar në spital”, thanë zyrtarët në një deklaratë.

Për shkak të shtrimit në spital, Austin i transferoi detyrat e tij te Zëvendës Sekretarja e Mbrojtjes Kathleen Hicks.

Sekretari i shtypit i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder tha se Shtëpia e Bardhë, Kongresi dhe kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët ishin njoftuar për zhvillimet.

Austin u diagnostikua me kancer të prostatës në fund të vitit të kaluar dhe është kritikuar për mbajtjen e fshehtë të diagnozës, operacionit dhe shtrimit të mëvonshëm në spital për shkak të komplikimeve nga procedura.

Pas kthimit të tij në Pentagon, 70-vjeçari Austin kërkoi falje për trajtimin e situatës.

“Lajmi më tronditi. … Sinqerisht, instinkti im i parë ishte ta mbaja atë private,” u tha ai gazetarëve.

“I kërkoj falje shokëve të mi të skuadrës dhe popullit amerikan.”

Pasi u diagnostikua me kancer të prostatës në fillim të dhjetorit, ai shkoi në një spital për një procedurë kirurgjikale më 22 dhjetor.

Austin u ripranua më 1 janar dhe kaloi dy javë të tjera në spital pasi përjetoi dhimbje ekstreme dhe u pranua në njësinë e kujdesit intensiv./

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re