Edhe pse ka kaluar vitet e shërbimit, doktoresha infeksioniste në Spitalin Rajonal të Shkodrës, Sose Demaj e ka të vështirë të largohet nga puna dhe pacientët që i dedikoi 39 vite të jetës. Emigracioni i brezave te rinj që braktisin vendin për të ndërtuar jetën diku tjetër si dhe pasioni për punën ka bërë që ajo të mos e heqë ende bluzen e bardhë dhe të shërbejë si mjeke, ndonëse prej 3 vitesh ka dalë në pension.

Sose Demaj ka lindur në Bajram Curr të Tropojës në vitin 1957, por që në gjimnaz, jeta e saj ka qenë mes Tiranës dhe qytetit ku jeton e shërben edhe në ditët e sotme si mjeke. Ëndrra e saj ishte Kimia industriale ose Mercologjia, diçka që nuk iu realizua por për këtë nuk shprehet aspak e penduar.

“Mjekja është rastësi. Kam 39 vite që shërbej, pëlqeja kiminë industriale, mercelogjinë dhe farmacinë por ka qenë një zgjedhje jo krejt e imja”, tregon doktoresha duke sqaruar se koha ishte e tillë që përzgjedhja bëhej sipas nevojave që kishte vendi.

Doktoreshë Sosja e vërteton më së miri shprehjen e Zonjës së Parë në Amerikë, Eleanor Roosevelt që thotë “E ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të veta”. Por kushtet e kohës ndikuan që Sosja të tërhiqej nga gjithçka kishte menduar për të ardhmen, por të bëhej e zonja dhe të arrinte më të mirën në rrugën që kishte nisur.

Në përfundim të studimeve për mjekësi, donte të specializohej për Obstetri-Gjinekologji. “Edhe nuk kishte specializim për atë degë por edhe unë isha me fëmijë të vegjël e kushtet nuk ishin shumë të mira sepse specializimi ishte tre vite”, rrëfen Sosja.

Ndonëse as kjo dëshirë nuk iu realizua, u specializua për sëmundje infektive dhe falë saj përjetoi emocionet më të mëdha të jetës. Viti 1998-1999 është fiksuar mirë në mendjen e saj pasi në spital mbërriti një djalë i sëmurë me parotid (sëmundje e njohur në gjuhën popullore si shyta):

“Ai u sëmur, pati komplikacion se është vetë sëmundja. Edhe atë natë me personelin i kemi qëndruar tek koka dhe arriti të shërohet. Pas shumë vitesh, një burrë erdhi të më falenderonte se kishte pasur djalin shumë sëmurë dhe ia kam shpëtuar”.

Ashtu si mjekët e tjerë, doktoreshë Sosja ia dedikoi jetën shpëtimit të jetës së njeriut, por vështirësitë nuk kanë munguar. Vitet kanë kaluar dhe nuk është venitur nga kujtesa e saj historia e një adoleshenteje që humbi jetën. Bëri të pamundurën që ta mbante gjallë, por sëmundja ishte më e fortë dhe i mori jetën.

Me lot në sy, doktoresha tregon: “Jam ndjerë keq tek një vajzë e re para shumë vitesh që erdhi në gjendje kome. Ishte shumë e re dhe vdiq brenda 2-3 orëve me cefalit fulminant (inflamacion i cipave të trurit). Aty kam arritur ti jap frymëmarrje gojë më gojë pa llogaritur pasojat që mund të kisha unë. Ishte momentale dhe për shumë vite e kam kujtuar ditën e vdekjes së saj”.

Aso kohe, përjetoi ankth dhe shok për shkak të mungesës së komunikimit, por kjo e bëri më të fortë. Doktoreshë Sosja ia doli që pjesën më të madhe të rasteve që trajtonte, të mos i dërgonte në Tiranë pasi kushtet janë thuajse të njëjta.

Pacientët i sillte në QSUT për të bërë analiza specifike, që edhe Tirana nuk i ofronte gjithmonë. Sipas saj, kjo shkaktohet prej mungesave të përgjithshme që ka mjekësia. Një pjesë e madhe mund të mendojnë se mjekët hezitojnë të kryejnë shërbimin për të sëmurin sepse “duan lekë”, por Sosja e hedh poshtë këtë teori.

Në të gjithë vitet e karrierës, shprehet se nuk ka dëgjuar rast që nuk ofrohet shërbimi nëse nuk bëhet pagesa. “Por, nëse një pacient të jep diçka për falenderim, nuk quhet korrupsion”, tregon Sosja me bindje.

Doktoresha sqaron se lëvizja e emigrimit dhe mirënjohja kundrejt pagesës u fut që në fillimin e demokracisë, por nuk ka qenë asnjëherë kërkesë e vetë personelit të mjekësisë.

“Për mua, korrupsoni është më shumë abuziv, sidomos në nivelet e ulëta”, thekson Sosja. Nëse kthen kokën mbas për të parë rrugëtimin profesional, doktoresha tregon se do të donte të kishte bërë gjëra ndryshe, por nuk shprehet e pakënaqur për arritjet e deritanishme.

“Mund të kisha marrë ndonjë mikrospecialitet brenda profesionit. Por kur bëhesh familjare, ke kushtet e shtëpisë që të pengojnë. Mosha jonë nuk është mirë tek arti, gjuhët e huaja sepse kalojnë vitet dhe nuk jam mirë tek ajo fushë”, rrëfeu mjekja infeksioniste.

Pra, dëshirat nuk kanë fund asnjëherë për njeriun. Disa prej arritjeve nuk realizohen, por jeta vazhdon. Ashtu si koleget e saj, edhe doktoreshë Sosja që ka plotësuar vitet e shërbimit, bën mjeken “roje” një herë në tre netë sepse në Spitalin Rajonal të Shkodrës nuk ka specializantë.

Arsyeja e kësaj mungese të theksuar nuk është vetëm fakti që të rinjtë duan Tiranën apo botën jashtë. Një faktor i rëndësishëm janë pagat që sipas saj, të lënë për të dëshiruar. Ndërsa Sosja nuk e ka menduar asnjëherë që të lërë popullin shqiptar apo Shkodrën për të nisur punë diku tjetër.

Edhe fëmijët e saj, ashtu si të rinjtë e tjerë kanë zgjedhur të shohin mundësitë larg Shqipërisë. Teksa i kujton me mall, thotë se gjërat mund të kishin qenë ndryshe nëse ata do të jetonin pranë saj.

 “Kam dy fëmijë të rritur. Vajza jeton në Bolonja me familjen, kurse djali në Gratz, është inxhinier. Nëse do kisha mbajtur ndonjë nip apo mbesë, ndoshta do kisha dalë në pension, por tani e shoh veten aktive”, përfundon mjekja Sose Demaj.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re