Ish-kandidati për kryetar në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadailli ishte njëri prej 2 zërave të vetëm kundër në Kuvendin e PD-së të thirrur nga Sali Berisha dje, i cili në fjalën e tij kërkoi që si Basha, ashtu edhe Berisha të përjashtohen nga gara për t’u zgjedhur në krye të PD-së.

Me anë të një shënimi në Facebook, Kadilli i bëri thirrje Lulzim Bashës të hapë rrugë për zgjedhje të lira brenda PD-së pasi sipas tij vetëm gara e ndershme e nxjerr nga kjo situatë.

“Ka vetëm një zgjidhje që ndalon luftën për pushtet që po zhvillohet dhe mban PD-në e bashkuar: VOTA E ANËTARËVE. Përplasjet dhe alternativat e ndryshme duhet t’i zgjidhin anëtarët. Basha nuk e ka betejën vetëm me Berishën e as Berisha vetëm me Bashën. Të dy e kanë edhe me ne: ata që duan një drejtim të ri dhe vizion të ri të PD-së. Basha duhet të hapë rrugën menjëherë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Basha nuk mund ta mbajë pushtetin me zor. Shiheni këtë foto: me ndonjë përjashtim, asnjë nga pozuesit nuk ka kontribut në PD, nuk ka ndikim në publik, nuk ka vota. A mund të përjashtojnë këta kryetarët e degëve të zgjedhur mga anëtarësia? A mund të vendosin këta që në PD nuk duhet të ketë garë?

Dua t’u bëj thirrje pozuesve në këtë foto dhe në atë që do bëhet në Këshillin Kombëtar: Ndalni shkatërrimin e PD-së me përjashtime dhe mbyllje! Ndalni marrëzinë e mbajtjes së karrikes kundër vullnetit të shumicës së anëtarëve. Lejoni garën, lejoni anëtarët të vendosin. Kjo e shpëton PD-në. Kjo është demokracia. Kjo është qasja amerikane”, shkruan Kadilli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re