Granit Xhaka do të rikthehet në përfaqësuesen e Zvicrës për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë dhe Skocisë.
Federata Zvicerane e Futbollit ka vendosur t’i japë sërish besimin mesfushorit shqiptar, i cili do të vazhdojë të jetë edhe kapiteni i skuadrës.
Vendimi vjen pas pezullimit të tij për shkak të çështjes së falsifikimit të certifikatës së COVID-19, një episod që e mbajti jashtë kombëtares.
Pas shqyrtimit të rrethanave dhe pasojave të çështjes, drejtuesit e futbollit zviceran kanë vlerësuar se rikthimi i tij në grumbullimin e nëntorit është i përshtatshëm.
“Ne e shqyrtuam këtë çështje nga perspektiva të ndryshme. Rrethanat specifike të të dyja rasteve, procedurat ligjore të përfunduara dhe pasojat sportive që kanë ndodhur tashmë, të gjitha u morën në konsideratë në vendimin tonë.
Jemi të bindur se rikthimi në ekipin kombëtar në nëntor është i përgjegjshëm dhe gjëja e duhur për t’u bërë”, deklaroi drejtori i kombëtares, Pierluigi Tami, për faqen zyrtare të Federatës Zvicerane.
Kështu, Xhaka pritet të jetë sërish një nga figurat kryesore të skuadrës, si në fushë, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes, ku do të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit.
Në listën e ardhshme pritet të rikthehet edhe Breel Embolo. Emrat përfundimtarë të futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e nëntorit do të bëhen publikë më 5 nëntor.
