Kështu u tha të jenë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në takimet që i mbajtën veç e veç me ndërmjetësuesit e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel, ka shprehur gatishmërinë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Kosovë, por “në përputhje me kornizën ligjore të vendit”.

“E kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur dhe fer sundimin e ligjit dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Nuk mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi një paqe të qëndrueshme por nga optimizmi i ndërmjetësit mund të them se ka shenja se ditët përpara do të jenë më të mira nga ato që kemi lënë pas ”, tha Kurti.

Kurti këmbënguli se ishte i gatshëm të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por ai refuzoi.

“Kam ardhur të takohem me palën serbe për të diskutuar hapat përpara, por meqë ky është një proces që përfshin dy palë, kjo nuk ishte e mundur”, shtoi ai, duke theksuar se është i gatshëm të jetë në bisedime derisa të gjendet një zgjidhje.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se në takimet që i ka pasur sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai tha se kanë “identifikuar rrugë të mundshme përpara por të dy palët duhet t’i përmbahen detyrimeve të tyre”.

“Takimi i sotëm nuk u fokusua shumë në çka por në atë se si dhe kur – si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit”, tha Borell të enjten.

Borrell ka shtuar se në takimin me Kurtin, ka ritheksuar kërkesën që kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat serbe, të punojnë nga ndërtesa alternative.

Në lidhje me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell po ashtu tha se “nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës”.

Megjithatë, ai theksoi se “arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”.

Gjithashtu, Borrell deklaroi t’i ketë thënë Vuçiqit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi “duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.

“Mendoj se kemi identifikuar rrugë të mundshme përpara por të dy palët duhet t’i përmbahen detyrimeve të tyre”, tha ai.

Tre policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Borrell shtoi se do të jetë në kontakt të ngushtë me të dyja palët në ditët në vijim dhe se ai do të raportojë te ministrat e jashtëm të BE-së të hënën për “ku qëndrojmë dhe ku duhet të shkojmë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re