Presidenti i vendit, Ilir Meta këtë të martë ka zhvilluar një takim me pedagoge e drejtues shkencore, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, ku kanë katër kërkesa për qeverinë.
Kreu i shtetit sqaron se në në fund të këtij takimi ata kërkojnë nga qeveria nisjen sa më parë të punës për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë.
Përmes një postimi në Facebook, presidenti Meta ka bërë të ditur kërkesat që kanë ndaj qeverisë.
“Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarrjet, etj;
Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;
Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;
Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor.”
