Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë takimin e radhës me naftëtarët e Ballshit në qytetin e Fierit. Takimi është organizuar të mbahet sërish në ambientet e Bashkisë së qytetit, ku kryeministri do të takohet me një përfaqësi prej 8 personash të deleguar nga naftëtarët.
Ky takim është i dyti brenda një jave, ku në takimin e parë naftëtarët pranuan të marrin vetëm një pagë nga ana e qeverisë dhe të vijojnë betejën ligjore me kompaninë për pagat e prapambetura.
Pjesë e përfaqësisë së punonjësve të Rafinerisë së Naftës në Ballsh janë disa prej grave greviste si dhe kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj. Policia e Shtetit ka blinduar qytetin e Fierit, ku vërehen pika të FNSH-së në çdo aks rrugor.
Kujtojmë se takimi i dytë mes kryeministrit dhe naftëtarëve vjen pas përfundimit të grevës së urisë së grave punonjëse të Rafinerisë në Ballsh. Prej kohësh përmes disa protestave dhe grevës së urisë naftëtarët kërkojnë zgjidhje për marrjen e pagave të prapambetura, si dhe rikthimin e tyre në punë me kontrata individuale.
/faxweb