Një numër i madh vendesh shprehën gatishmërinë për të ofruar ndihmë për Turqinë pasi pjesët juglindore të saj u goditën mëngjesin e sotëm nga një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter.
Në përputhje me udhëzimet e dhëna nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev për qeverinë, një avion ndihmash i përbërë nga tenda dhe pajisje mjekësore do të niset së shpejti për në Türkiye.
Ministria e Emergjencave të Azerbajxhanit njoftoi se një ekip kërkim-shpëtimi prej 370 personash do të dërgohet në Türkiye.
Ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen shprehu keqardhje për tërmetin në Turqi dhe urdhëroi një program ndihme urgjente. “Në emër të Izraelit, do të doja t’i përcjell ngushëllimet tona më të thella popullit turk për tërmetin që ndodhi në Turqinë jugore”, tha Cohen.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoaz Gallant udhëzoi ushtrinë izraelite dhe institucionet e ministrisë për të ofruar ndihmë humanitare.
Më herët, autoritetet e SHBA-së thanë se vendi është i gatshëm t’i ofrojë të gjitha llojet e ndihmës Türkiye-s.
“SHBA-ja është thellësisht e shqetësuar për raportet e tërmetit të sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme. Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka udhëzuar USAID-in dhe partnerët e tjerë të qeverisë federale që të vlerësojnë opsionet e reagimit të SHBA-së për të ndihmuar më të prekurit. Do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në bashkëpunim me qeverinë e Turqisë”, tha më herët sot këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.
Udhëheqësit e Indisë shprehën gjithashtu ngushëllimet e tyre për humbjen e jetëve dhe infrastrukturës në tërmetin e fuqishëm që goditi rajonin juglindor të Turqisë të hënën në mëngjes.
Kryeministri indian Narendra Modi tha se India qëndron në solidaritet të fortë me popullin e Turqisë dhe është e gatshme t’i ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme shtetit turk për të përballuar këtë tragjedi.
Kujtojmë se të paktën 284 persona kanë humbur jetën ndërsa 2.323 të tjerë janë plagosur nga tërmeti me magnitudë 7.4 ballë që goditi juglindjen e Turqisë të hënën në mëngjes.
Burimi: AA