Deputeti socialist Taulant Balla, i cili mban dhe postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së duke qenë dhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, ka paralajmëruar hapjen e një tjetër procesi gjyqsor ndaj kreut demokrat Basha. Ky i fundit, nuk ka ngurruar ta quajë Ballën një “politikan bandit”, në një reagim pas dëshmisë së ish-oficerit të policisë në Komisariatin e Fushë Krujës, Emiljano Nuhu.

“Një vajzë e pambrojtur është dhunuar, përdhunuar, rrëmbyer dhe torturuar në mënyrë sistematike. Është një krim monstruoz që meriton dënimin më të rëndë. Mbi të gjitha ky është një krim shtetëror, ndaj para drejtësisë duhet të dalë jo vetëm sadisti çnjerëzor Rexhep Rrahja, por edhe pushtetarët që i dhanë mbrojtjen shtetërore kriminelit: Rrahman Rraja, Artur Bushi dhe Taulant Balla, ky i fundit një politikan bandit i zhytur në botën e krimit”, u shprej Basha gjatë orëve të mbrëmjes në FB.

Më tej, kreu demokrat, duke mos dyshuar në asgjë në ato që ka thënë ish-polici, siç politikisht nuk i takon të dyshojë por vetëm besojë, ka shkruar.     

“Së bashku me ta, para drejtësisë duhet të dalin të gjithë drejtuesit e policisë dhe të prokurorisë që braktisën ligjin, detyrën dhe qytetaren e pafajshme, veçanërisht ata që përndoqën, larguan dhe kërcënuan dhe bënë plane për ta eliminuar nënkomisarin Emiljano Nuhu që u përpoq të luftonte krimin. Ky krim i rëndë kundër njeriut, i mundësuar dhe mbrojtur nga funksionarët më të lartë të shtetit është këmbana e alarmit për të gjithë shoqërinë se tashmë jetët e cdo kujt janë të rrezikuara nga kriminelët e rrugës që mbrohen nga kriminelët e shtetit”, shprehet Basha ndër të tjera.

Dhe vjen menjehërë reagimi i Taulant Ballës, nr.2 të PS-së, i cili jo vetëm e mohon atë çfarë ka dëshmuar ish-efektivi policor në arrati, por paralajmëron ta çojë në një tjetër gjyq kreun demokrat, pasi pret të ballafaqojë me akuzën tjetër, atë për pronësinë e Toyota-s së kapur me euro në Portin e Durrësit

“Hedh nje i marre nje gure ne lume dhe 100 te mencur s’e nxjerrin dot, thote populli!

Por jo, kjo qe po shoh sot eshte me keq.

‘Te mençurit’ e dine fare mire cfare marrezie eshte kjo shpifje qe jane turrur ta pasqyrojne me nje zell te madh, vetem pasi e nxorra une vete!

Kjo sajese e ndyre dhe e verifikueshme pa veshtiresi nga cdokush qe publikon lajme, ka nje qellim te qarte: Te coje uje ne mullirin e prishur te Lulzim Bashes! Une s’kam shkelur as ne Kruje gjatë vitit te fundit dhe jo me ne komisariatin e Krujes i armatosur. Une e provoj lehtesisht ku kam qene ate dite qe maskarai i paguar apo i paturp apo te dyja bashke, ka bere kete leter per te perfituar azilin politik.

Dhe do ta provoj ne gjyqin e radhes qe do te kem me Lulzim Bashen per kete ceshtje. Raportet mjekesore nuk do ta shpetojne Lulzimin nga pasojat juridike te genjeshtrave te tij.

Ndersa disa mediave hiena qe ushqehen me mishra te ngordhur u kam lene Zotin se tjeter s’kam c’u them!”, shkruan Balla.

Kjo figurë, ndër më të zëshmet e mazhorancës, ka qenë jo pak herë shënjestër e demokratëve. Në kushte opozitë, Balla u kërcënua nga Berisha me fjalët “ta bëjë fytyrën si të këpucës…”, ndërsa ish-kryeparlamentarja Topalli urdhëroi rojet e sigurisë së Kuvendit që ta “kapnin për zhelesh e ta nxirrnin jashtë”. E sot ai akuzohet dhe si kriminel e bandit.       

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re