Nga Entela RESULI –

Këto ditë mësuam se një djalë nga Shqipëria punon në Bankën Botërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, është edhe pedagog në një nga universitetet atje.

Holti Banka është 32 vjeç dhe jeta e tij ka qenë gjithmonë një sfidë drejt suksesit.

Kërkuam të flisnim me Holtin për të dëgjuar historinë e tij e cila besojmë se është frymëzim për këdo që ka dëshirë të arsimohet e të jetoj një jetë aktive.

Holti në tregon se kur ishte 10 vjeç, në mesin e viteve ‘90, prindërit e tij, me profesion mësues, të cilët jetonin dhe punonin në Berat, vendosën të emigronin.

Kështu çifti Banka, së bashku me dy fëmijët e tyre u nisën drejt Greqisë.

Atje e filluan jetën nga e para. Fëmijët u futën në shkollë, ndërsa ata shpesh punonin edhe dy punë për të përballuar jetesën.

Synimi i tyre ishte që fëmijët të arsimoheshin dhe të mos u mungonte asgjë në këtë drejtim.

Dhe mesa duket ia kanë dal.

Holti na tregon se pas 9 vitesh në Greqi, u shkëput nga familja duke shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi atje fitoi një bursë të plot ( 50 mijë dollarë në vit) në Williams College, i klasifikuar si një nga universitetet më të mira në Amerikë.

Gjithë rrugëtimin e tij, si pedagog e deri te puna në Bankën Botërore, Holti na e tregon në këtë intervistë në Dita.

Holti ka pasion edhe kërcimin. Jeta e tij nuk është vetëm duke qëndruar i mbyllur në zyrë përballë kompjuterit. Ai organizon mbrëmjet e Ballkanit në Washington duke promovuar kështu kërcimin ballkanik, pasi ai beson shumë në ekuilibrimin e jetës me punën.

-Holti, kur dhe pse je larguar nga Shqipëria?

Si shumë familje të tjera shqiptare, edhe familja ime në mes të viteve ‘90 u largua nga Shqipëria dhe emigroi në Greqi. Prindërit e mi vendosen të linin punën, te afërmit dhe miqtë për të siguruar një jetë më të mirë dhe një të ardhme të të sigurtë për mua dhe vëllanë tim të vogël, duke qenë se Shqipëria e asaj kohe nuk ishte një vend shumë i sigurt dhe gjendja ekonomike ishte shumë e vështirë gjatë tranzicionit.

-Greqia ishte vendi i parë ku ju emigruat, si u ndjetë?

Po, edhe pse asnjeri nga ne nuk e njihte gjuhën Greke, unë u përshtata shumë shpejt dhe lehtë atje dhe ri-fillova shkollën pak muaj pasi mbërrita në Greqi. Vëllai im, i cili është 6 vjet më i vogël se unë, e filloi nga klasa e parë. Unë qëndrova rreth 9 vite aty, përpara se të transferohesha në Shtetet e Bashkuara.

Në fakt, pjesën më të madhe të shkollimit 12-vjeçar e kam kryer në Greqi, deri në përfundim të shkollës së mesme, gjatë së cilës kam dalë me rezultate të shkëlqyera dhe kam fituar konkurse të ndryshme akademike.

Në përgjithësi, kujtimet që kam nga Greqia janë të bukura. Ka patur disa raste kur jam përballur me diskriminim si i huaj, por fatkeqësisht mendoj se ky është një fenomen i zakonshëm në të gjithë Europën, ndryshe nga vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja apo Australia, të cilat janë të krijuara nga emigrantet. Vendet evropiane kanë identitete kombëtare shumë të forta për shkak edhe të historisë dhe lashtësisë. Prandaj qëndrimi i tyre ndaj individëve me prejardhje nga vende dhe kultura të ndryshme, sado evropiane, nuk është gjithmonë pozitiv.

-Ka qenë e vështirë rruga drejt SHBA-ve? Na trego pak për mënyrën se si ike?

Gjithmonë kam ëndërruar të jetoja dhe të studioja në Amerikë. Në një arsyet ka qenë normalisht fakti se aty gjenden disa nga universitetet më të mira në botë dhe mundësitë për të ecur përpara në karrierë janë shumë të mëdha. Një arsye tjetër madhore ka qenë edhe diversiteti i madh i shoqërisë amerikane, e cila i jep mundësinë çdokujt të ndihet i barabartë. Në këtë aspekt, Amerika është një shembull i pashoq dhe mbresëlënës.

Kur isha ende në shkollën e mesme në Greqi, fillova të bëja disa kërkime për të kuptuar më mirë mënyrat si mund të aplikoja për universitete amerikane. Zakonisht, kur aplikon në një të tillë, ka një numër të caktuar kriteresh, që përfshijnë rezultate të shkëlqyera në shkollë, letra rekomandimi, angazhim në aktivitete jashtëshkollore dhe një sasi të caktuar pikësh në testet e standardizuara (SAT, TOEFL)

Edhe pse kisha siguri në vetvete për shkak të rezultateve shkollore, e dija që procesi do ishte i vështirë, sepse për herë të parë, konkurroja me një numër shumë të lartë të rinjsh të talentuar nga e gjithë bota, për t’u pranuar në një kolegj amerikan. Megjithatë, me këmbënguljen që më karakterizon, shpenzova pothuajse një vit për aplikime dhe përgatitje për testet e standardizuara.

Ishte një periudhe shumë stresuese, por me ndihmën dhe suportin moral të prindërve, ja arrita t’i plotësoja të gjitha kërkesat e aplikimeve. Ata e dinin potencialin tim dhe ishin të bindur se e ardhmja ime do ishte më ndritur në një vend si Amerika.

Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia është pak limituese kur bëhet fjalë për mundësi në jetë dhe karrierë, sidomos kur je i huaj. Gjithsesi, unë u pranova në shumë universitete amerikane por vendosa të shkoj në Williams College, i cili është klasifikuar si universiteti më i mirë për Arte Liberale (Liberal Arts) në Amerikë, dhe pranon vetëm 17 për qind të atyre që aplikojnë. Ky universitet kushtonte rreth 50,000 dollarë ne vit, por ata më ofruan bursë të plote dhe unë e realizova dëshirën time për të vazhduar studimet në Amerikë.

-Megjithatë ja vlejti gjithçka apo jo. Si ishte eksperienca universitare në Amerikë?

Aq e vështirë ishte të lija prindërit dhe vëllain në Greqi, sa ishte sfiduese të filloja një kapitull të ri të jetës time në shtatorin e 2006-ës. E dija që ishte mundësia e jetës ajo që më ishte dhënë vetëm 19 vjeçar dhe që do të më çonte drejt mundësive të reja, prandaj i kisha vënë si synim vetes të jepja më të mirën time.

4 vitet e universitetit në Massachussetts kanë qenë të mrekullueshme jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në aspektin social. Profesorët e mi ishin shumë prestigjiozë dhe më kanë vënë përballë praktikave të ndryshme konkrete, hulumtimeve komplekse dhe trajnimeve të ndryshme verore. Për shembull, një verë e kam kaluar në Cape Toën, në Afrikën e Jugut, duke bërë kërkim shkencor për programet që synojnë uljen e varfërisë.

Edukimi në Williams College dhe diversiteti me të cilin u ekspozova aty ishte pikërisht ajo që kisha ëndërruar nga një universitet amerikan. Aty studiova Ekonomi dhe Matematikë, sepse përgjithësisht jam një njeri i numrave. Megjithatë vendosa të specializohem në Ekonomi dhe pas bachelorit në Williams College, në vitin 2010 shkova në Universitetin e Maryland për të vazhduar doktoraturën për Zhvillim Ndërkombëtarë dhe Ekonomi për 6 vitet në vazhdim, gjithashtu me bursë të plotë.

Tema ime e doktoraturës fokusohej në përfshirjen financiare dhe sistemet e pagesave, si pjesë e së cilës eksplorova se si përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave (p.sh. kartat, paraja elektronike) kundrejt cash-it kanë efekte pozitive mikro dhe makroekonomike. Gjithashtu, gjatë doktoraturës unë zhvillova një metodologji që mat kostot që has një shtet kur përdor cash në vend të pagesave elektronike, dhe duke sugjeruar në këtë mënyrë se si një shtet mund të kursejë një sasi të konsiderueshme të PBB-se duke përdorur metoda pagesash elektronike me efektive.

-Cila është lidhja jote me Bankën Botërore dhe çfarë pozicioni mbani aty?

Gjatë doktoraturës, fillova të punoj si konsulent i jashtëm për Bankën Botërore, e cila ishte e interesuar për të aplikuar metodologjinë që kisha zhvilluar, për shtete të ndryshme ku ajo punonte. Banka Botërore e ka degën qendrore në Ëashington DC, shumë pranë universitetit tim në Maryland ku bëja doktoraturën.

Gjatë doktoraturës, punova me Bankën Botërore për të perfeksionuar metodologjinë e cila sot njihet si “Një guidë praktike për të matur kostot e pagesave retail” dhe është aplikuar nga Banka Botërore në disa shtete në botë. Pas përfundimit të doktoraturës, Banka Botërore më ofroi punë si specialist i sektorit financiar, për Grupin e Zhvillimit të Sistemeve të Pagesave. Ky departament punon me bankat qendrore dhe ministritë e financave në vendet ne zhvillim për të modernizuar sistemet e tyre të pagesave, duke përfshirë këtu edhe dizenjimin e strategjive për pagesat kombëtare dhe asistencën teknike dhe këshillim për politikat mbi përdorimin e metodave alternative për pagesat elektronike. Puna ime përfshin një numër të madh udhëtimesh rreth botës. Pothuajse 150 ditë në vit më shkojnë duke udhëtuar në vende të ndryshme në të gjitha kontinentet. Për shembull, në udhëtimin e fundit kam qenë në Indonezi, Malajzi dhe ishujt Bahamas.

-Por ne po ju takojmë në Shqipëri, ju lidh puna a po punonin edhe për vendin tonë?

Një fakt interesat dhe një koincidencë e bukur është se më duhet të punoj edhe me Shqipërinë si pjesë të punës që bëj aktualisht. Në 3 vitet e fundit, më është dashur të vizitoj shumë shpesh, për shkak të punës që jemi duke kryer në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, në lidhje me objektivat e punës time.

Në Shqipëri, jemi duke u marrë me një seri projektesh për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe matjen e kostove të përdorimit të pagesave çash, për të cilën publikuam dhe një raport: Kostot e pagesave të vogla dhe kursimeve në Shqipëri.

Jeta ndonjëherë na sjell surpriza të bukura. Nuk do e kisha menduar kurrë që një ditë do e njihja Shqipërinë edhe në një kontekst profesional. Këtë mundësi e shoh edhe si një rast unikal për t’i shërbyer vendit nga kam ardhur, edhe pa u gjendur fizikisht aty.

Koleget e mi më ngacmojnë shpesh duke më thënë se për shkak të mbiemrit tim (Banka), punoj për institucionin e duhur J . Ndoshta kjo nuk është koincidencë, pasi stërgjyshi im e ka marrë këtë mbiemër pasi ka qenë një nga bankierët e parë në Berat.

-Ju jepni mësim në Amerikë apo jo na trego pak me tepër për këtë eksperiencë…

Po është e vërtetë. Pasi mbarova doktoraturën, isha lektor i Makroekonomisë në Universitetin e Maryland. Më pëlqen shumë të jap mësim dhe të jem në kontakt me studentët, me të cilët e identifikoj ende veten. Ishte një përvoje jashtëzakonisht interesante, sepse shumë prej studenteve të mi ishin më të mëdhenj në moshë se unë, por ata më vlerësonin për pasionin, energjinë, motivimin dhe mënyrën e mësimdhënies. Fatkeqësisht, më është dashur të heq dorë përkohësisht nga mësimdhënia për shkak të udhëtimeve të shpeshta për Bankën Botërore. Gjithsesi, besoj se do t’i rikthehem në të ardhmen.

-Holti, çfarë mundësish të dha Amerika?

Do i jem përjetësisht mirënjohës Amerikës për çdo gjë që më ka ofruar. Tashmë kam 13 vjet këtu dhe me krenari e konsideroj shtëpinë time. Fakti që kam studiuar në dy universitete me famë botërore pa paguar asgjë, është një fenomen që ti mund ta përjetosh vetëm në këtë vend. Në Amerikë, kjo nuk çudit askënd, pasi edukimi është një fokus i jashtëzakonshëm dhe afatgjatë në këtë vend. Sa më shumë investohet në edukim, aq më shumë përfitime ka shoqëria ku ky kontingjent njerëzish të trajnuar dhe të arsimuar kontribuon gjatë jetës. Po t’i shtosh kësaj edhe sistemin e drejtësisë dhe meritokracisë funksionale, suksesi pas shkollës është pothuajse i garantuar nëse jep më të mirën tënde. Gjithashtu, ngado që të vish, nuk ndihesh kurrë i huaj sidomos në një vend si Washington DC ku të gjithë janë të ardhur.

Gjithashtu, modestia është diçka që e vlerësoj shumë në kulturën amerikane. Pavarësisht statusit socio-ekonomik ose titullit në punë, çdokush është i aksesueshem dhe i hapur, diçka që në shqiptaret duhet ta marrim shembull.

-Mendon se në Shqipëri do të kishe arritur kaq shumë?

E dyshoj shumë. Fatkeqësisht, në një vend të vogël si Shqipëria, ka shumë kufizime sidomos për sa i përket cilësisë së edukimit dhe mundësive të tregut të punës. Gjithashtu, shoqëria shqiptare nuk bazohet në meritokraci, ose ndoshta ky parim nuk është funksional sa duhet. Fatkeqësisht, shoqëria shqiptare është tejet e politizuar dhe është e vështirë t’i shpëtosh këtij realiteti nëse jeton aty. Pavarësisht se hapat përpara janë të admirueshme, ka akoma shumë punë për të bërë jo vetëm nga klasa politike por edhe nga individët dhe shoqëria civile.

-Na thatë se keni ardhur shpesh vitet e fundit në Shqipëri, ke një mendim për rinin shqiptare dhe për atë se çfarë ndodh këtu?

Mendoj se ka shumë variacion kur bëhet fjalë për të rinjtë, por njoh shumë të tillë që kanë ëndrra dhe aspirata të cilat nuk mund të materializohen në Shqipëri, kështu që shumë prej tyre janë larguar ose synojnë të largohen për të realizuar synimet e tyre. Në Shqipëri, nuk shoh një ambient motivues për të rinjtë, që shumë shpesh mund të zhgënjehen nga realiteti dhe në vend që të luftojnë më shumë, ulin pritshmëritë dhe mësohen me realitetin. Kohët e fundit shoh më shumë të rinj të angazhohen në pozicione të rëndësishme politike në vend, por nuk e di nëse ata kanë me të vërtetë autoritetin për të sjelle ndryshime të qenësishme në këto role. Gjithsesi, të rinjtë janë shpresa e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të stërzgjatur 30-vjeçar të Shqipërisë.

-Cila është lidhja që ke me familjen, Holti??

Vëllai im ka ndjekur hapat e mi duke studiuar ne Amerike dhe tani punon si inxhinier elektronik.

Prindërit tanë vazhdojnë të jetojnë në Greqi po besoj që së shpejti do na bashkëngjiten në Amerikë. Ndaj tyre ndihem përherë borxhli, sepse gjithçka kemi arritur është bërë e mundur falë vizionit të tyre për jetën, kurajos që ata patën për të sakrifikuar gjithçka për ne, dhe mbështetjes që na kanë dhënë në çdo hap të jetës. Ata na kanë mësuar të punojmë fort, të mbështetmi tek shpatullat tona siç e ka shprehja, dhe mos të harrojmë kurrë se nga kemi ardhur. Ne jemi rritur që të vegjël me idenë e mirënjohjes së thelle dhe megjithëse të larguar për më shumë se 25 vjet, në vazhdojmë të ndjekim të gjitha zhvillimet në Shqipëri.

-Kemi mësuar se ti ke gjithashtu pasion kërcimin, e praktikon shpesh??

Pavarësisht se mund të dukem shumë ambicioz, unë besoj në ekuilibrimin e jetës me punën. Prandaj, bëj çmos që të kem një jetë plot ngjyra dhe eksperienca të ndryshme kulturore dhe artistike. Prej vitesh kam një interes të veçantë për kulturën Latine dhe kam mësuar të kërcej Salsa dhe Merengue.

Çdo fundjavë dal me miqtë dhe çdo muaj organizoj Balkan Nights në Washington DC për të promovuar muzikën dhe kulturën e Ballkanit. Këto aktivitete tërheqin një publik shumë të gjerë në DC dhe jam shumë i lumtur që ka një kuriozitet të madh ndaj rajonit tonë. Gjithashtu, brenda Bankës Botërore unë drejtoj një grup vullnetar rinor, Youth to Youth, i cili angazhon dhe fuqizon rininë nëpër bote përmes programeve të posaçme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re