Në janar të viti 1994 në Teatrin Kombëtar u organizua një
ceremoni e bukur me rastin e 70-vjetorit të lindjes së Të madhit Kadri Roshi.
Me disa nga mbresat e asaj ceremonie dhe me pasazhe të një bisede të vetë
Kadriut atëhere unë përgatita emisionin për Radio-Tiranën. Emisioni mer vlerë
më shumë sot, kur jo vetëm Artisti i Madh, por edhe disa emra të tjerë, të
cilët kanë folur atëhere për të, nuk jetojnë më. Unë kam shkëputur vetëm pak
prej atyre mbresave që u sollën në atë ceremoni.

Kadri Roshi-Artist i Popullit:- Do tu them vetëm tri fjalë:
E para: Faleminderit! E dyta: Faleminderit! Dhe e treta: Faleminderit shumë!
–Duartrokitje-

Viktor Gjika- kinoregjisor:- Të flasësh për 70-vjetorin e K.
Roshit duhen 70 vjet, se është një aktivitet i madh e i gjithanshëm, si në
skenë, ashtu edhe në ekran. Të thuash që Kadriu është aktor i madh, këto tashmë
dihen nga të gjithë.Kadriu për mua ka qenë mësues, se unë profesion bazë kam
patur atë të operatorit. Kur jam bërë regjisor, dy njerëz më kanë ndihmuar, të
cilët s’i harroj: S. Prosi dhe K. Roshi.

Piro Milkani- kinoregjisor:- Xhironim filmin “Ballë për
ballë”. Ky në rolin e Belul Gjonomadhit. Kishim një skenë të rëndësishme në
Ulëz. 30 kamiona, 500 figurantë etj etj. Një qind herë iu luta: Nesër në shtatë
të presim. Le të më kundërshtojë Kadriu, nëse nuk është kështu. Të gjithë të
nesërmen në shtatë, gati për nisje. Kadriu, hiç…Shkoi 7.30, shkoi 8.00.
Shkuam në shtëpi. Trokasim, del Kliti: – Nuk e di ku është babi…Ka xhirim, –
tha. – Aman, more po ne u shkatërruam…Filmi duhet të dalë… Pyet, pyet,
dikush thotë:

– Shikoni se duhet ta keni andej nga Lezha për peshk…I
thash grupit: Nisuni për në Ulëz, se Kadriun do ta gjej. Makinës ne, drejt edhe
në Lezhë. Ora 11.00. Kur, ç’të shohim! I leckosur, me një trastë me ca krimba
të mirë, me P. Manin, me F. Haxhirën, prisnin autobuzin për të shkuar për
peshk. Zbrita. Vetëm i fola: Kadri!…Më pa kështu…Hoqi trastën, ua dha atyre
dhe u tha: -Qëllofshi! Ç’më more më qafë!- tha duke hipur në makinë. Ju
betohem, ajo ishte dita më e mirë e xhirimit. Deri në orën 7.00 (19.00), pa
ngrënë, pa pirë. Dhe krijoi një figurë vërtetë dinjitoze. Por, jo vetëm në atë
film.

Sulejman Pitarka- aktor:- Kadriu, edhe kur shkonte për peshk
përsëriste rolin.

Ferdinand Radi:- aktor- Ishim në Vermosh, xhironim filmin
“Shëmbja e idhujve”. Kishim dalë atje për të gjuajtur peshk me Kadriun. Unë nuk
gjuaja, po vetëm e ndiqja atë nga mbrapa. Kur vjen një fshatar atje.

– Nuk ka peshk këtu, – thot ai.

– Po ku ka peshk?- pyeti Kadriu.

– Hajdeni me mua, mor burra, – thot ai. Edhe u nisëm. Kur ai
na çoi te shtëpia.

– Po këtu nuk ka ujë, – thot Kadriu.

– Ti don ujë apo don peshk? – i thot ai.

– Jo, unë peshk dua…

– E, po hajde me mua, se kam peshk në shtëpi, – thot ai.

– Duartrokitje-

Doli një urdhëresë që të gjitha honoraret t’i falen shtetit.
Kadriu kishte për të marrë ca honorare në Radio-Tirana. I thot ai drejtori i
Radios.

– Shoku Kadri, ne kemi marë një nisiativë që këto honoraret
të mos i marrim, po t’ua falim çerdheve. Ju shkoni e vini firmën atje, po mos i
merni honoraret. – Mos ki merak, – i tha Kadriu. Shkoi atje, e vuri firmën dhe
i mori ato paratë e honorareve. Kur e kapi ai drejtori i radios, i tha:

– O Kadri, po ti pse i more honoraret? A thamë ne që do t’ua
japim çerdheve?

– Po edhe unë për atë punë i mora, pagova çerdhen e
Klitit…

– Duartrokitje-

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re