Mediat greke shkruanin dy ditë më parë se kryeministri Edi Rama është i gatshëm t’i japë Turqisë Pashalimanin, për ta shndërruar në një bazë ushtarake detare. Në një shkrim të gjatë ku shprehet shqetësimi se Greqia po rrethohet nga baza detare ushtarake turke, thekson se shteti grek nuk po merr asnjë masë ndaj këtij fakti.

Media greke “Estia” e lidh zhvillimin e bazës së Pashalimanit me Turqinë, si edhe me aeroportin që pritet të ndërtohet në qytetin e Vlorës po me këtë shtet, që të forcojë ‘rrethimin’ e Greqisë.

Mirëpo, burime për “Balkanweb” bëjnë me dije se pas bazës së Kuçovës, edhe Pashalimani po studiohet nga NATO për bazë detare. Ishte kjo kërkesë e bërë nga ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Olta Xhaçka që Aleanca të konsiderojë Pashalimanin edhe për shkak të gjeografisë dhe avantazheve që ofron për të investuar edhe aty një bazë detare.

Në tetor të vitit të shkuar Ministrja Olta Xhaçka i është drejtuar përmes një letre zyrtare komandantit të Komandës Supreme për Europën, gjeneralit amerikan Tod D. Ëolters, duke i parashtruar planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, me qëllim përdorimin e saj nga NATO.

Ministrja Xhaçka u ka bërë të ditur drejtuesve të NATO-s se Shqipëria është gati për zbatimin e një plani të përbashkët për zhvillimin e bazës detare për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Nëse do të pranohej një kërkesë e tillë nga NATO atëherë do të ishte e vetmja nga Aleanca në Ballkan për t’iu përgjigjur sfidave të emigracionit apo sigurisë nga kërcënimet.

E në një përgjigje të kësaj kërkese Sekretari i Përgjtihshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi nga Brukseli se ekspertët e Aleancës po e vlerësojnë dhe do ta marrin në konsideratë një gjë të tillë. Ndërkaq baza ajrore e Kuçovës do të jetë gati së shpejti, sipas projektit të hartuar nga NATO, një investim ky që kap vlerën e 50 milonë eurove.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re