Jetoi në një familje  mesatare dhe përgjatë rinisë së saj nuk u përball me varfërinë ekstreme. Shpesh herë njerëzit nuk arrijnë ta konceptojnë sesi do të ishte jeta pa patur ujë e jo më rubinet… sesi do të ishte të jetoje pa drita, apo sesi do të ishte të mos kishe as edhe një tualet për t’u larë apo për të kryer nevojat personale.

Xhenifer, sot 31 vjeçe, u përball me varfërinë ekstreme kur u nis drejt Indisë. Kishte shkuar për punë në një kompani për teknologjinë e informacionit, por atje pa me sytë e saj, se çfarë do të thotë varfëri, të mos kesh, skamje.

“Atje pashë varfëri ekstreme, diçka brenda meje me thoshte… duhet të bësh diçka. Ishte atje që vendosa të ndryshoja të gjithë karrierën time”

Xheni u kthye në vendin e lindjes, në Kolumbi. Nuk shkoi në qytetin ku lindi e u shkollua, por në një fshat të varfër. Një vend ku nuk kishte as rrugë për të shkuar. Në vitin 2015 me ndihmën e një grupi miqsh, Xhenifer krijoi një organizatë bamirëse, me qëllimin e vetëm, të ndihmonte të varfrit e vendit të saj.

Shkoi në fshatin e varfër dhe u përball sërish me varfërinë ekstreme. Njerëz pa ujë, pa drita, pa elementët më bazikë.

“U ndjeva shumë e mërzitur kur pashë ata njerëz të jetonin pa gjërat më bazike, nuk kishin as ujë për të mirë, asgjë”-thotë ajo për CNN.

Pas vitesh punë, në fshatin e varfër kjo vajzë e re në moshë, ka arritur të sjellë energji elektrike për familjet, ujë të pijshëm dhe tualete e banjo publike për të gjithë banorët. Sot fëmijët e këtij fshati të varfër, mund të lexojnë e bëjnë detyrat duke parë me drita e jo me flakën e vogël të qiririt.

31 vjeçarja bëri ç’të mundej veçanërisht për gratë, duke u dhënë atyre përgjegjësinë për të mirëmbajtur e menaxhuar shumë prej donacioneve të sjella, për t’ua bërë më të thjeshtë jetën nevojtarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re