Katolikët në mbarë botën sot festojnë Pashkët, festën më të madhe dhe më të vjetër të krishterë, e cila simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen.

Mbrëmjen e së shtunës, Papa Françesku drejtoi një meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në të cilën ai dënoi “erërat e akullta të luftës” dhe padrejtësitë e tjera.

Në një predikim drejtuar rreth 8,000 njerëzve, Françesku foli për hidhërimin, tmerrin dhe zhgënjimin që shumë ndiejnë sot.

“Ne mund të ndihemi të pafuqishëm dhe të dekurajuar përballë fuqisë së së keqes, konflikteve që prishin marrëdhëniet, llogaritjeve dhe indiferencës që duket se mbizotërojnë në shoqëri, plagës së korrupsionit, përhapjes së padrejtësisë, erërave të akullta të luftës,” tha ai, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund të gjitha luftërave.

Pashka është festa më e madhe dhe më e vjetër e krishterë, sepse thelbi i mësimit të krishterë shënon ringjalljen e Krishtit, si fitore e besimit dhe e jetës mbi vdekjen.

Kjo ditë përfaqëson shtyllën kurrizore dhe themelin e besimit të krishterë, pra ringjalljen e Jezu Krishtit.

Ndërtimi shpirtëror dhe agjërimi

Të krishterët besojnë se ky akt është momenti i lindjes së një feje që ndiqet sot nga 2.3 miliardë njerëz.

Sipas besimit, Jezu Krishti u dënua të enjten, u kryqëzua të premten dhe u ringjall të dielën.

Prandaj, megjithëse Pashka festohet gjithmonë të dielën, ajo bie në një datë të ndryshme pothuajse çdo vit për shkak të një rregulli specifik.

Pashkët bien në javën e parë pas hënës së plotë të pranverës në ose pas ekuinoksit pranveror.

Koha menjëherë para Pashkëve, gjatë së cilës besimtarët përgatiten për atë festë, njihet si Kreshmë.

Gjatë Kreshmës, katolikët përgatiten për kremtimin e Pashkëve me lutje personale dhe të përbashkëta për zhvillimin e tyre shpirtëror, agjërim dhe forma të tjera të heqjes dorë për vetë-edukim dhe vepra të mira, të cilat shpesh quhen akte mëshirë, për të ndihmuar ata që kanë nevojë. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re