Sali Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike hynë këtë të martë në selinë e Partisë Demokratike. Një mbështetës i PD shkelmoi derën e mbyllur të sallës ku mbahen konferencat për mediat në PD, e më pas të gjithë anëtarët u futën brenda.
Në një konferencë për shtyp nga selia, Berisha akuzoi policinë për dhunë ndaj adoleshentëve e të moshuarve, në protestën e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Ai tha se në qeli deri në orët e vona të natës janë mbajtur 15-vjeçarë e të moshuar 84-vjeçarë.
“Dënojmë disa akte brutale të policisë të narkopolicisë, e cila ka arrestuar mbrëmë njerëz të pafajshëm, i ka keqtrajtuar adoleshentët, në furgonat e makinë. Unë jam sot këtu për të paralajmëruar narkopolicinë, se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta, apo në lëvizjet revolucionare.
Mbrëmë deri në një të natës, në qeli të komisariateve me urdhër të Ramës janë mbajtur adoleshentë 15 vjeçar, por edhe burra të moshuar 84 vjeçar… Paralajmërimi përfundimtar është mos dhunohet asnjë e drejtë njerëzore”, tha Berisha mes të tjerash.