Deputeti Ilir Beqja zbulon për publikun një pasion të fshehtë për detarinë. Ai është njohur si ministër shëndetësie, si biznesmen tenderash, por lidhjen me jahtet, anijet, me marinën i paska  mbajtur  të paekspozuara.

Ditët e fundit Beqja ka dorëzuar në Kuvend një projektligj për të ndryshuar nja dy nene të Kodit të  Detar. Duke u marrë me detarinë, pra duke diskutuar me disa biznesmenë që ndajnë të njëjtin pasion për detin dhe jahtet, mësoi se ligji të pengon të kesh kapiten të  huaj në mjetin detar me flamur shqiptar. Edhe ai të njëjtin mendim ndan, nuk kemi pse kërkojmë kapiten shqiptar, se po hyjmë në BE. “Po vijnë investitorë të huaj me jahte, por nuk duan kapiten shqiptar për jahtet, duan vetëm flamurin tonë në bord. Mirëpo i pengon ligji, sepse nëse një mjet detar ka flamur shqiptar, atëherë edhe kapiteni duhet të jetë shqiptar. Këtë e ka marrë përsipër ta zgjidhë Beqja. Një ndryshim neni është.

TPZ u interesua pranë Administratës Detare, se si qëndron ky problem. Ata u habitën se nga doli ky projektligj, sepse kanë kohë që duan të bëjnë një paketë me 25 ndryshime në Kodin Detar dhe nuk i pyet njeri. Sipas tyre, është e vërtetë se u ka dalë ky problem, për mungesë kapitenësh, por vetëm për anijet e peshkimit, kurse për jahtet nuk ka pasur krizë kapitenësh. Po ashtu mësuam se Shqipëria ka nja dy universitete dhe shumë shkolla private ku mësohet detaria dhe jepen licenca për drejtues mjetesh detare.

Beqja, Balluku dhe Klosi deri tani kanë bërë tre katër ligje për jahtet dhe mjetet detare. Duke qenë se jahtet janë lodra e re dhuratë për politikanët tanë, brenda vitit, në  kohën e pandemisë, këta kanë bërë ligj për heqjen e TVSH-së për këto mjete luksoze, kanë bërë ligj të ri për regjistrimin e mjeteve detare, për pontilet, për gjithçka, por paskan harruar një detaj. Nuk na  duhen kapitenët shqiptarë.

“Meqenëse vendi ynë nuk ka një sistem shkollimi dhe formimi profesional për kapitenë anijesh…për efekte sigurie të këtyre mjeteve, propozoj që kapitenët të jenë ng shtetet e BE-së dhe të OECD-së”, i shkruan Beqja kreut të  Kuvendit, Gramoz Rucit.

Po pse nuk e bëri vetë Belinda apo Blendi këtë ndryshim ligji (pra heqjen e kapitenëve shqiptarë), pse ia lanë Ilirit? Shkaku është pasioni i tij për detarinë dhe jahtet. “Ma lini mua nenin 136”, mësohet të jetë shprehur Beqja në një rreth të ngushtë, teksa mendonte udhëtimet nëpër detra me kapitenin e huaj…

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re