LIBRAZHD– Kujdesi për lulet dhe pemët shenjoi jetën e tij. Hajdar Rreshka u kujdes për 45 vjet që qytetit të tij, Librazhdit të mos i mungonte gjelbërimi. 68 vjeç rrëfen me nostalgji pasionin e tij që iu kthye në profesion.

“Profesionin e lulishtarit ma mësoi Xhelal Gjakova. Ai kishte punuar në Francë për zbukurimin e qytetit. E kam vazhduar aktivitetin tim nga 77 deri tani. Kam 18 muaj që jam shkëputur. Aty e mbylla për 45 vjet, gjithë jetën”, tha ai.

Kujton se disiplina ishte pika e tij e dobët. Për të shkuar në punë ecte çdo ditë në këmbë nga fshati i tij Babje për në qytetin e Librazhdit.

“Nisesha që në 5 të mëngjesit nga shtëpia, duke ikur në këmbë. Për 45 vjet unë kam ecur në këmbë për të shkuar në punë nga Babja në Librazhd. Kisha disiplinë. Kisha vështirësi shumë, fëmijët I kisha të vegjël”, shtoi kopshtari.

Pas daljes së tij në pension Hajdar Rreshka shpreh keqardhjen se lulishtet e qytetit janë lënë pas dore.

“Nuk vazhdohet më me të njëjtin ritëm për gjelbërimin në qytet. Pas largimit tim pemët dekorative të larta nuk janë prekur me dorë”, u shpreh më tej.

68-vjeçari gjithë jetën e tij ia kushtoi duke iu dhënë forma dekorative pemëve, ndërsa sot të rinjtë që zgjedhin profesionin e tij janë shumë të paktë

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re