Deputeti i Partisë Socialistë Ermal Pacaj ka kritikuar qeverisjen nga foltorja e Parlamentit, pasi në sallën e Kuvendit kishte një mungesë të theksuar të përfaqësuesve të qeverisë.
Pacaj u shpreh se erdhi në sallë pasi ishte njoftuar se kishte radhën, por me ironi deklaroi se “kot paskam ardhur”.
Ai shtoi se ka folur me qytetarët dhe se bashkë me ta është bashkëvuajtës i disa halleve, por nënvizoi se me ardhjen në Parlament sot është përballur me mungesën e përfaqësuesve të qeverisë.
Fjala e plotë:
“Unë në fakt sapo erdha nga Komisioni i Reformës Territoriale, se më thanë se erdhi radha, por më duket se kot paskam ardhur. Unë të flas me qytetarët… Qytetarët m’i kanë thënë hallet. Mua vetë m’u thotë atyre që t’i dëgjoj, çfarë t’u them atyre? Ata i dinë hallet më mirë se unë. Një pjesë të halleve i kemi të përbashkëta, jemi bashkëvuajtës. Nuk më duket normale. Dikujt duhet t’ia qaj hallet këtu, s’qenka kush, po i them. Ky është problemi im, pastaj po e thashë unë, është puna ime, s’është e kujt tjetër”, u shpreh ai/.
“Faleminderit, zoti kryetar. Unë në fakt sapo erdha nga Komisioni i Reformës Territoriale, se më thanë se erdhi radha, por më duket se kot paskam ardhur.
Unë të flas me qytetarët… Qytetarët m’i kanë thënë hallet. Mua vetë m’u thotë atyre që t’i dëgjoj, çfarë t’u them atyre? Ata i dinë hallet më mirë se unë. Një pjesë të halleve i kemi të përbashkëta, jemi bashkëvuajtës.
Nuk më duket normale. Dikujt duhet t’ia qaj hallet këtu, s’qenka kush, po i them. Ky është problemi im, pastaj po e thashë unë, është puna ime, s’është e kujt tjetër. Një ndër problemet që kam evidentuar atje në zonën e Lezhës… Nuk e di të jetë ndonjë qark tjetër që të ketë probleme me energjinë elektrike më shumë se Lezha.
Pra, të them të drejtën, në fshatin Malaj në Mirditë frigoriferin e përdorin për raft, se s’ka energji për të ftohur asnjë send. Nuk po flas pastaj për fshatin Ishull-Shëngjin dhe fshatin Ishull. Janë dy fshatra me nga 5.000 banorë — e përkthyer ndryshe, me nga katër apo pesë qendra votimi — që furnizohen nga fideri 9 dhe fideri 13. Kur janë bërë në fillim gjatë elektrifikimit, kanë pasur diku te 11 apo 12 kabina, ndërsa sot kanë nga 50 për çdo fider. Pra, 48 kabina ka fideri 9, 43 kabina ka fideri 13; janë 938 abonentë familjarë dhe 135 abonentë biznesi te fideri 9, ku nuk është bërë asnjë investim. Ikin dritat sapo fryn era më e vogël. Dhe po flasim këtu për fshatin Ishull-Shëngjin dhe fshatin Ishull. Fshati Ishull është edhe një ndër 100 fshatrat turistike — edhe po të ishin vetëm 10, prapë Ishulli aty do të ishte.
Pra, nuk e di se si do t’i shkojë kjo punë, por ama ne kemi probleme të theksuara me energjinë elektrike, qoftë për fuqinë, qoftë për shkëputjet për shkak të defekteve. Nuk po hyj në detaje se s’jam teknik i kësaj pune, por fillova ta mësoj këtë histori ditë për ditë duke folur me banorët atje.
Një problem tjetër shumë i rëndësishëm në Shëngjin është problemi i peshkimit. Në Shëngjin kemi diku te 30 anije peshkimi, të cilat përpara se të fillonte kriza e karburantit e merrnin naftën me 70 lekë. Mesatarisht shpenzojnë diku te 10.000 litra naftë në muaj — nga 2.500 deri në 3.000 litra për dalje, për katër dalje në muaj që bëjnë ata. Pra, në qoftë se më përpara (pa TVSH) ata shpenzonin 7 milionë lekë të vjetra, sot shpenzojnë 14 milionë lekë të vjetra. Nuk ka më shumë se katër apo pesë ditë që Italia subvencionoi përkohësisht me 20% karburantin për mjetet e peshkimit, ndërsa ne nuk po e bëjmë. Duhet të ulemi, se ndoshta nuk e bëjmë dot 20%, por ndoshta e bëjmë 10%.
Unë këto probleme kisha për të diskutuar, por po i lë për herë tjetër. Ndoshta ajo që dua të them është edhe një problematikë tjetër shumë e madhe: vetëm në pesë ditët e fundit në Bashkinë e Lezhës kemi pasur mbi 44 apo 45 zjarre të mëdha e të vogla, që kalojnë çdo lloj mesatareje të mundshme në krahasim me atë që jemi përballur në vitet e kaluara. Unë kam punuar në njësinë vendore, kam punuar në Bashkinë e Lezhës dhe nuk kemi pasur asnjëherë raste të tilla. Nuk e di çfarë prapavije kanë këto, por ama di se, falë punës së jashtëzakonshme të zjarrfikësve atje — që gjej rastin t’i falënderoj secilin nominalisht, emër për emër — kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të mos pasur asnjë lloj dëmi në asnjë shtëpi, në asnjë familje, as dëme njerëzore dhe asgjë të tillë. Ka qenë falë punës së tyre, si dhe të Forcave të Armatosura — secilit prej tyre, ushtarëve dhe pilotëve — që u kanë ndejtur në krye të punës 24 në 24 orë gjatë gjithë kësaj periudhe. Ju faleminderit për vëmendjen!”
