Kreu i shtetit, Ilir Meta ka deklaruar sot se liria e medias në vend ka pësuar përkeqësim krahasuar me një vit më parë.
Në ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kreu i shtetit thekson se disa nga faktorët që kanë ndikuar negativisht në përkeqësimin e lirisë së medias janë, ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimi dhe presionet e drejtpërdrejta apo të të tërthorta kanë bërë që sipas tij të ketë më pak gazeta në treg se një vit më parë.
Për Metën Pasojat e paketës anti-kushtetuese dhe ligjeve anti-shpifje kanë bërë që të thellohet më shumë në regres, duke detyruar botuesit aktual që sforco të mëdha për të mbajtur në treg median në print.
“Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medias në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë, sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
Ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë.
Pasojat e paralajmëruara të paketës anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”, si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe COVID-19, po e thellojnë regresin, duke i detyruar botuesit aktualë të bëjnë përpjekje të sforcuara për të mbajtur ende në treg median në print, që po rrezikohet seriozisht.
Gazetarët vetë raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, çensura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme.
Liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Veçanërisht mbrojtja e lirisë së shprehjes në kohë pandemie, siç thekson edhe Këshilli i Europës, ka një rëndësi jetike.
Duke ndarë të njëjtat shqetësime me organizatat botërore të gazetarëve dhe duke shprehur solidaritetin tim me të gjithë komunitetin e medias në vendin tonë, që duhet ndihmuar seriozisht në këto momente të vështira që po kalojmë, nxis dhe inkurajoj gazetarinë e lirë e të pavarur që pyet, kërkon përgjigje, investigon dhe flet në emër të opinionit publik, që mbron dhe është zëdhënëse vetëm e interesave të tij.
Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm”, thekson Meta.