Nga Ylli Pata

Rasti i Valdrin Pjetrit, më shumë se një ngjarje në aspektin ndëshkues ndaj personazhit, i cili që prej 24 orësh nuk është një përfaqësues politik i PS-së, do të sjellë padyshim një rrjedhë ngjarjesh politike domino, kryesisht në vjeshtën që po hyjmë.

Pa pritur hetimet e Prokurorisë që të marrë zyrtarisht dokumentet që PD ka publikuar, të cilat marrin efektin zyrtar, rasti “Pjetri” është “asi” i vetëm që opozita e Lulzim Bashës ka siguruar, pas pamundësiaë për të ndalur 30 qershorin e për rrjedhojë, konstituimin e kryebashkiakëve që dolën nga ato zgjedhje.

Por çfarë mund të bëjë opozita me këtë “as”? Si do të veprojë mazhoranca dhe në pasojë të dy qëndrimeve, çfarë mund të ndodhë në Shqipërinë politike?

Pasojat për PD

Natyrisht që opozita e Lulzim Bashës e ka siguruar një ngadhënjim politik jo të vogël, duke ja bërë nul mazhorancës një nga lëvizjet më të forta të zgjedhjeve të 30 qershorit, jo thjesht marrjen e Bashkisë së Shkodrës, por edhe angazhimin fatal për të marrë më në fund “kalanë e Rozafës”, që politikisht e ka zotëruar vetëm Partia Demokratike për 30 vjet.

Riaktivizimi i dekriminalizimit si akt politik, i ka sjellë Lulzim Bashës në dorë të vetmen fitore politike që ka arritur në 6 vjet si lider i opozitës shqiptare. Padyshim që PD do ta shfrytëzojë  dhe sipas gjasave, mund ta përdorin në temp dhe në fuqi gati në frekuencë të njejtë decibel me rastin “Tahiri” në vitin 2017, që gjithashtu qëlloi menjëherë pas zgjedhjeve, dhe që ishin disfatë për opozitën.

Por ndërsa atëherë Basha e përdori një rast shumë të favorshëm për të dalë nga sistemi duke përdorur një shantazh të pastër politik, këtë herë ai ka shansin që të hyjë në sistem, duke propozuar një pakt politik të plotë për të reformuar apo edhe ndryshuar sistemin politik, duke hyrë në zgjedhje, padyshim në radhë të parë në zgjedhjet e afërta për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës.

Opozita është përpara një mundësie që, qoftë me proces të brendshëm apo edhe negociues me mazhorancën, të marrë pjesë apo edhe udhëheqë një proces politik për të ardhmen, duke dhënë konsensusin e saj për dy çështjet kardinale: hapjen e negociatave me BE-në dhe reformën në drejtësi.

Natyrisht duke marrë në këmbim kërkesat e saj për një proces politik që nga reforma zgjedhore, ajo institucionale dhe ndoshta edhe zgjedhjet e parakohshme.

Është shansi fatal  i Bashës për të hyrë në politikën reale dhe jo të mbetet peng i orekseve ekstreme të kastës së vjetër.

Pasojat politike në PS

Nëse Lulzim Basha do të pranojë të hyjë në sistem, mazhranca socialiste do të provojë një proces të rëndë në trupin e saj, pikërisht pasi mund të zhbëjë atë operacion marketing, çka tentuan të heqin njollën e pasojave të dekriminalizimit, por edhe akuzat për korrupsion në pushtetin e PS, që tronditi keqasi për disa vite imazhin e kësaj force politike.

Por megjithatë, ky është një çmim “normal” që një mazhorancë të paguajë pas 6 viteve pushtet, kur ka përballuar një betejë fatale me kundërshtarët politikë, që tentuan edhe të minonin sistemin politik në zgjedhjet e 30 qershorit.

Nëse zgjedhjet lokale që tashmë po pësojnë epilogun e tyre me betimin e kryebashkiakëve, do të kenë një viktimë, siç është rasti “Pjetri”, kjo nuk është asgjë nëse në fund do të prodhohet një sistem politik me përfshirjen edhe të opozitës dhe rinormalizim të panoramës politike.

Një forcë politike që lind për t’i shërbyer zhvillimit të vendit, nuk e ka asgjë nëse në fund shpëton sistemi e plagoset ajo vetë. Madje nëse në zgjedhjet e pritshme për Bashkinë e Shkodrës do të hyjë edhe PD e Bashës apo LSI-ja e Kryemadhit, kjo do të jetë fitore edhe më e madhe për mazhorancën e Edi Ramës, edhe PS-në si forcë politike në vend.

Është një traumë që mund të shërbejë si shans për rihyrje në sistem, ku përveç plagosjeve e disfatave dypalëshe, në fund prodhohet një proces. Por natyrisht gjithçka varet nëse do të ketë proces.

Shkodra

Megjithatë, pasojat politike meqë bëhet fjalë për Shkodrën, janë edhe më të mëdha pas rastit “Pjetri”.

Partia Demokratike ndodhet para dilemës me apo pa Voltanën. Nëse Basha konfirmon sërish kryebashkiaken aktuale, ka përpara një risk të madh. Zonja Ademi, edhe pse sot ka një aureolë qëndrestareje ndaj mazhorancës, ka një pakënaqësi të madhe jo vetëm në qytet, por edhe brenda PD-së së Shkodrës, e cila është e ndarë më dysh si pasojë e përplasjeve të klaneve që prej mënjanimit të zonjës Jozefina Topalli, por jo vetëm.

PD ka një shans për të rindërtuar një raport të ri me Shkodrën, edhe pse ka mbi barrë qeverisjen 30 vjeçare të atij qyteti, që nuk e ka shumë pozitiv.

PD ka shansin që nga Shkodra të rindërtojë një të ardhme politike më të fuqishme, duke i dhënë fuqi kësaj force pikërisht nga një rrënjë simbolike e saj, siç është qyteti më i madh i veriut që ka votuar pa kursim ndaj së djathtës për më shumë se 28 vjet.

Përndryshe mund ta humbë përgjithmonë.

Ndërkaq, Partia Socialiste pikërisht me rastin “Pjetri” kthehet sërish në pikën zero në Shkodër, në një zonë që politikisht ka qenë në minorancë, por që rregullisht prej vitit 1992 socialistët kanë pasur më shumë se 3-4 zona dominuese në qarkun Shkodër, por edhe një elektorat mjaft qytetar.

Por me ardhjen e të fortëve, elektorati i majtë në Shkodër pësoi një lloj përzierjeje me të pakënaqurit e së djathtës, që i sollën të majtës vetëm problem dhe asnjë përfitim politik.

4-5 deputetë në qark PS-ja i merrte edhe me rezultatin e 22 marsit 1992, nëse do të ishte ky sistem zgjedhor, ndërkohë që direkt nuk ka nddhur, pasi të fortët e PD-së kanë ndaluar një proces zgjedhor fair për 28 vjet.

Të vetmin rezultat që sollën të fortët e PS-së ishte pikërisht sistemi i kundërvënies së forcës me forcë, por që me ardhjen e PS-së në pushtet u përkthye në shpërblimin në administratë të njerëzve më të pakualifikuaredhe me problem me ligjin.

Rasti i Keti Bazhdarit në vitin 2015 ishte një shans shumë i madh për Partinë Socialiste. Keti, një biznesmene e re, e arritur me forcat e saj, pinjolle e një familje qytetare 24 karatësh, e përndjekur politike dhe antikomuniste, ishte një rast që së majtës nuk i kishte ardhur prej vitesh, edhe pse Keti Bazhdari është bërë socialiste, jo sepse ju ofrua një post, por që në 2003-shin kur e gjuanin me gurë, sepse u aktivizua me PS-në.

Edhe pse zonja Bazhdari nuk e fitoi Bashkinë Shkodër, edhe si pasojë e lojës së dyfishtë të LSI-së në 2015-n, gjithsesi ajo ishte një aset politik i së majtës në Shkodër.

Në vitin 2017, Edi Rama emëroi numrin 2 të qeverisë, Senida Mesin, një tekniciene me CV të pasur dhe me një traditë familjare qytetare në Shkodër. Duke ushqyer një opinion se zonja Mesi do të ishte kandidatja e PS-së për Bashkinë Shkodër. Per 2 vjet në qeveri Senida Mesi, nuk është përfolur asnjëherë, madje edhe nga opozita e zhurmshme. Në fund Rama jo vetëm që nuk e zgjodhi, por edhe nuk i dha fuqi politike në Qarkun Shkodër.

Para një muaji kryeministri largoi Ditmir Bushatin, i cili shkoi në Shkodër si drejtues politik, pasi u zgjodh dy herë deputet në Tiranë dhe sipas gjasave nuk pritet që pas rastit “Pjetri”, ish-ministri i Jashtëm të kthehet në krye të qarkut.

Kthimi në pikën zero i jep një mundësi PS-së për ta nisur nga e para në një qark që ka kryer eksperimente që kanë rezultuar jo vetëm të pasuksesshme, por edhe të dëmshme për mazhorancën.

Në fund, rasti “Pjetri” është edhe një shans për Ilir Metën për të hyrë në proces si kryetar shteti pikërisht në moderimin e dialogut politik dhe garantimin e thelbit të sistemit demokratik, siç janë zgjedhjet dhe jo minimin e tyre.

Meta me dekretimin e zgjedhjeve të pritshme në Shkodër ka një shans gjithashtu të rëndësishëm…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re